“Çudia”, tabela në gjuhën greke në rrugët e Sarandës

Në rrugën kombëtare Sarandë-Konispol, janë vendosur tabela orientuese dygjuhëshe, në shqip dhe greqisht. Ato ndodhen jo vetëm në hyrje të fshatrave minoritare të zonës por edhe në ato që banohen nga popullsi shqiptare, kryesisht çame, si në Shkallë, Mursi, Sopik, Dobra etj. Tabelë dygjuhëshe është vendosur edhe në hyrje të qytetit të Sarandës, që gjithashtu banohet në shumicë dërrmuese nga shqiptarë. Vendosja e tabelave me mbishkrime greqisht në këto fshatra që banohen vetëm nga shqiptarë duket se synon identifikimin e tyre si zona të minoritetit etnik grek. Autorësia e personave që kanë marrë përsipër vendosjen e tyre në rrugën nacionale është e paqartë.  
Kodi Rrugor
Rruga kombëtare Sarandë-Konispol, ndodhet nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme e Rrugëve, që është edhe enti pronar i saj. Në bazë të nenit 23, pika 4 dhe 5 e Kodit Rrugor, sanksionohet mes të tjerash se “Për vendosjen e tabelave duhet autorizimi i entit pronar të rrugës”. Neni 23, pika 11 e Kodit Rrugor përcakton qartë se “cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame”.  

Qeveria greke
 Ndërtimi i rrugës kombëtare Sarandë-Konispol, që ka një gjatësi prej 41 km, është mundësuar falë një granti të qeverisë greke me vlerë 858.6 mln lekë (32.3 milion Euro). Ky financim është në kuadrin e ndihmës me një fond të veçantë, që qeveria greke ka parashikuar për vendet e Ballkanit, nga të cilat, përfituesi kryesor në këtë kontekst bëhet dhe vendi ynë. Qeveria shqiptare është financuese e 20 për qind të vlerës së projektit. Vetëm pak muaj më parë, kryeministri, Sali Berisha inaguroi një pjesë të këtij segmenti rrugor të rikonstruktuar tashmë në pjesën dërrmuese.  

Berisha
<span> Në mbledhjen e qeverisë, të datës 27 shkurt 2008, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të përgatisë vendimin për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha emërtimet e tabelave dhe etiketave. “Gjuha shqipe, u shpreh Kryeministri, duhet të mbizotërojë në të katër anët e vendit. Të gjitha tabelat dhe etiketat duhet të jenë në gjuhën shqipe. Ne duhet të tregojmë respekt më të madh për këtë gjuhë të mrekullueshme që kemi”, u shpreh kreu i ekzekutivit.</span>

Ceshtja e tabelave sjell ne mend episodin me kreun e Bashksie se Himares, Vasil Bollano. 6 muaj burg, një gjobë prej 500 mijë lekësh të reja dhe heqjen e së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për tre vjet. Ky ka qenë vendimi i dhënë rreth një vitë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës në ngarkim të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ai u shpall fajtor me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi urdhëroi në mënyrë të kundraligjshme heqjen e tabelave orientuese në gjuhën shqipe përgjatë aksit rrugor Qeparo-Qafë Llogara duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 21 milion lekësh. Tabelat në gjuhën shqipe u zëvendësuan me të tjera në gjuhën greke me pretendimin se zona i përket minoritetit etnik grek.

Back to top button