Kriza greke dhe viktimat shqiptare
Përshkallëzimi i pasojave të kapitullimit financiar të Greqisë në ekonominë reale të vendit, përbën një lajm tejet të hidhur për mbi 600 mijë emigrantët shqiptarë që punojnë atje. Por jo vetëm…

Kriza greke është paralajmëruar që në fillimet e saj se do të kishte pasoja serioze për të ardhurat që vijnë nga emigrantët shqiptarë në shtetin fqinj. Megjithatë, institucionet qeveritare në Shqipëri nuk e kanë artikuluar këtë shqetësim real për ekonominë e vendit dhe të ardhurat e shumë familjeve që mbahen me para nga emigracioni. Dhe nëse flitet për të ardhurat nga emigrantët, duhet theksuar se pjesa dërrmuese e tyre jetojnë në Greqi, në shifra që llogariten në mbi 600 mijë shqiptarë. Sipas censusit të regjistrimit të popullsisë në vendin fqinj në vitin 2001 (referoju grafikut), mbi 55% e emigrantëve në shtetin helen janë me kombësi shqiptare. Ndërsa pjesa tjetër ndahej në nivele të papërfillshme mes kombësive të tjera, ku e dyta për nga renditja llogaritet Turqia (kurdët turq) me vetëm 4.7%. Ndërsa sot, emigrantët shqiptarë vlerësohen në rreth 70% të totalit të emigrantëve në Greqi.
Këto shifra nxjerrin në pah sesa të pranishëm janë shqiptarët në tregun e punës në Greqi, i cili prej disa muajsh ka filluar të tkurret ndjeshëm. Për sa kohë nuk ekzistojnë statistika zyrtare mbi normën e papunësisë në Greqi për muajt e parë të këtij viti, mund t’i bëhet referencë, të dhënave të fundit të agjencisë së statistikave të këtij vendi, për katërmujorin e fundit të vitit 2010.
Papunësia në Greqi u rrit me 10.3 për qind në tremujorin e katërt të 2010-ës, tha këtë javë agjencia e statistikave të këtij vendi – çka është niveli më i lartë i regjistruar që nga 2005-a dhe kërcimi më i fortë në 11 vite. Këto shifra publikohen ndërsa Greqia ndodhet nën presionin e Bashkimit Europian për të reduktuar deficitin e saj buxhetor. Vendi ka njoftuar një plan të ashpër të uljes së shpenzimeve, duke shkurtuar pagat e nëpunësve publikë, duke ngrirë pensionet dhe rritur taksat – mjete që kanë shkaktuar një kundërpërgjigje nga sindikatat përmes një serie grevash.
Emigrantët sjellin më pak para
Shifra mbi 600 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi është një kambanë e vërtetë alarmi për ekonominë shqiptare, duke marrë parasysh faktin se Greqia është praktikisht një shtet i falimentuar ekonomikisht. Kjo do të thotë shumë më pak para që hidhen në treg nga qeveria helene, ulje në paga e pensione, tkurrje të tregut të punës dhe si rrjedhojë, më pak të ardhura për emigrantët shqiptarë dhe shumë më pak të ardhura që ata sjellin në Shqipëri.
Kjo do të thotë se kriza ekonomike në Greqi ka arsye shumë të forta që të ketë një peshë thelbësore në përkeqësimin e krizës ekonomike në Shqipëri. Ndërkaq, shifrat e të ardhurave nga emigracioni kanë performuar mjaftueshëm keq edhe pa ndihmën e krizës greke. Në tri vitet e fundit, remitancat kanë ndjekur një prirje të qartë rënëse nga 14.6 për qind të PBB-së që ishin në vitin 2005, në rreth 10.6 për qind në vitin 2008. Në terma vjetorë, në vitin 2008 remitancat shënuan një rënie prej rreth 6 për qind kundrejt vitit 2007. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët sollën 394 milionë euro gjatë gjysmës së parë të 2009-ës, me rënie 6.1 për qind kundrejt gjysmës së parë të vitit 2008. Ndërsa, për nëntëmujorin janar-shtator 2009, të ardhurat nga emigracioni qenë 581 milionë euro, kundrejt 619 milionë euro për të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo përbën një rënie të remitancave në nivelin 6.2 për qind. Ky është në fakt, niveli më i ulët i të ardhurave nga emigrantët në vlerë absolute që nga viti 2006.
Efektet në ekonominë shqiptare
Duke marrë parasysh rrethanat në shtetin fqinj, remitancat nga emigracioni ka shumë pak gjasa të shënojnë përmirësim, ndaj punët për ekonominë shqiptare mund të shkojnë vërtet keq, sepse me remitancat (eurot) që emigrantët sjellin në vend, pjesa tjetër e shqiptarëve që ndodhen brenda kufijve blejnë mallra në Bashkimin Europian. Për më tepër, kjo rrymë valute kontribuon në uljen e deficitit të llogarisë korrekte si dhe shtyn rritjen ekonomike të vendit. Ndërkaq, vendi ndodhet i mbytur në borxhe rreth nivelit 60% të PBB-së. Qeveria paraqitet pa burime relevante të ardhurash dhe synon t’i mbushë mungesat duke parë të gjitha mundësitë për të marrë sërish hua. Nga ana tjetër, nëse qeveria do të kryente një ulje drastike të shpenzimeve, do të kishte një tkurrje të mëtejshme të ekonomisë, çka do të sillte edhe më pak të ardhura në arkën e shtetit.
Por, pa valutë që vjen nga jashtë vendit në formën e serumit për ekonominë, borxhi ekzistues dhe ai që mund t’i shtohet në të ardhmen e afërt ka gjasa të krijojë probleme të rënda në ekonomi, aq më tepër kur qeveria duket nuk ka asnjë burim alternativ të ardhurash. Ministria e Financave ka parashikuar një deficit prej afro 50 miliardë lekësh (rreth 540 milionë dollarë) për vitin 2010, shifër kjo që mund të ndryshojë shumë shpejt në mos ka ndryshuar sakaq. Nga ana tjetër, ndonëse gjëma financiare greke është legalizuar nga autoritetet fqinje vetëm prej pak muajsh, efektet në ekonomi janë shfaqur që në vitin 2009, në një farë mase të madhe, të ndikuara nga kriza ekonomike botërore. Diçka e tillë konstatohet jo vetëm nga deklaratat e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe nga të dhënat statistikore të shkëmbimit të mallrave ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas INSTAT, eksportet shqiptare drejt Greqisë u goditën më rëndë nga kriza se sa të gjitha eksportet e vendit drejt botës për vitin 2009. Gjatë vitit 2009, Greqia bleu në Shqipëri 7.6 miliardë lekë mallra, ndërkohë që një vit më parë pati blerë 9.9 miliardë lekë, me një rënie prej 23 për qind.
Historia e emigracionit shqiptar në Greqi
Gjatë diktaturës ushtarake të viteve 1967-’74, punëtorët e krahut në Greqi u rekrutuan kryesisht nga Egjipti dhe nga Filipinet. Kjo valë e kontrolluar emigracioni u ndoq në vitet ’80 nga një masë refugjatësh politikë nga vende të ndryshme të Europës Lindore, si dhe kurdë nga Turqia. Por, vetëm pas rënies së regjimeve komuniste në Europë, Greqia filloi të përballej me emigracion masiv – kryesisht i natyrës klandestine – nga Shqipëria dhe në numra shumë më të vegjël nga vendet e tjera të Ballkanit. Emigrantët shqiptarë përbëjnë rreth 70% të popullatës së emigrantëve, megjithëse një pjesë e madhe e tyre janë pajisur me karta homogjeniteti, si “grekë etnikë”, duke përfshirë këtu edhe ndërrimin e emrave, sipas variantit ortodoks.
Grupe të mëvonshme emigrantësh janë me kombësi aziatike – sidomos nga Pakistani dhe Bangladeshi – të cilët kryejnë përgjithësisht punë të rëndomta. Ndërkaq, flukse më të moderuara emigracioni kanë mbërritur nga Turqia, Afganistani, Irani, Iraku, Somalia etj. Rritja e fluksit të përgjithshëm të emigracionit është bërë edhe problem politik për vendin fqinj.
Arsyet e emigracionit në Greqi kanë një karakter të fortë demografik. Greqia dhe Itali që kanë popullatë të plakur, kanë rezultuar tërheqëse për emigrantët nga Shqipëria, që ka moshë më të re të forcës së punës dhe ku faktori kryesor shtytës për emigrantët ka qenë pasiguria për t’u integruar në tregun e punës në vendin e tyre. Nga ana tjetër, Greqia ka pasur punë të disponueshme të paguara lirë, veçanërisht në bizneset e vogla familjare.
Një faktor tjetër tërheqës për emigrantët shqiptarë ka qenë hendeku i standardeve të jetesës ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, çka e ka bërë këtë fundit, një destinacion tërheqës për shqiptarët punëkërkues. Gjithashtu, një ekonomie reale e qëndrueshme në shtetin fqinj, statusi i një vendi anëtar të Bashkimit Europian, si dhe prania e një ekonomie informale që “paguan mirë”, kanë ndikuar në tërheqjen e emigrantëve shqiptarë. Për shembull, sipas vlerësimeve të institucioneve greke, një punëtor shqiptar në atdhe, paguhet mesatarisht 3 dollarë në orë, ndërkohë që më parë mund të fitonte pa shumë vështirësi nga 6 dollarë deri në 10 dollarë në sektorin e punësimit informal në Greqi (në varësi të aftësive dhe punës që kryente).