Korcë, lëvizja “Mjaft”: Ne nuk jemi grekë
KORÇË- “Korça nuk ka grekë”, “Konsulli grek Ikonomus nuk është diplomat”, ishin disa nga slloganet me të cilat lëvizja “Mjaft” protstoi të hënën para konsullatës greke në Korçë.
Proteste ishte reagim ndaj deklaratave të konsullit grek, Theodhoros Ikonomus, të bëra me rasin e 20 vjetorit të themelimit të organizatës OMONIA të Korçës, ku mes të tjerash, tha se “grekët e Korçës të mos kenë frikë të regjistrohen si grekë” dhe se në Shqipëri eshte “Vorioepir dhe është me grekë”.
Drejtuesi i lëvizjes “Mjaft”, Janaq Kaça, në fjalën e tij dënoi deklaratat e konsullit grek Ikonomus, duke i quajtur ato të pavërteta dhe nënvizoi se në Korçë nuk ka grekë, por shqiptarë.
Ai foli për historinë, gjuhën, kulturën dhe shkollën e parë shqipe të Korçës. “Korça, Gjirokastra dhe Çamëria kanë qenë dhe do të jenë shqiptare dhe nuk mund ta tjetërsohen,” tha Kaça.
Veprimtarët e lëvizjes “Mjaft” ngjitën hartën e Shqipërisë në muret e konsullatës greke të Korçës dhe u shpërndanë të qetë.