Memoriali i masakrës greke mbulohet nga ferrat
I ndodhur në anë të rrugës nacionale, memoriali është mbuluar nga ferrat dhe ndodhet në prag degradimi. Forumi “Djemtë e Gjirokastrës” bën thirrje për restaurimin e këtij monumenti historik për të mos e harruar historinë
Një tjetër memorial i harruar në rrethin e Gjirokastrës dhe një tjetër thirrje e forumit “Djemtë e Gjirokastrës” për të mos lënë në hije këto monumente. Memoriali i Hormovitëve është thuajse i harruar. Së bashku me memorialë të tjerë thuajse të shkatërruar plotësisht, përkujtojnë krimet gjatë periudhës shkurt–mars të vitit 1914 nga bandat shoviniste greke në gjithë krahinën e Gjirokastrës. I ndodhur anës rrugës nacionale, sapo kalon urën e Lekelit, Memoriali i Hormovitëve është ngritur në mars të vitit 1982 për nder të 217 banorëve të këtij fshati të vrarë brenda një nate nga bandat shoviniste greke në mars të vitit 1914. I gjithë ambienti përreth është një tragjedi e vërtetë, kangjella të shqyera, muret rrethuese të rrënuara, ndërsa i gjithë lapidari me gurë të bardhë është nxirë dhe i gjithë vendi është mbuluar me ferra. “Ne jemi i njëjti grupim i cili ka çuar zërin më parë për memorialin e Rilindësve në Gjirokastër, për statujën e kapedan Çerçiz Topullit në sheshin e Çerçizit, për restaurimin e vendit ku është ngritur flamuri kombëtar në kala në 4 dhjetor 1912, për vendosjen e emrave të rrugëve në Gjirokastër me emrat e rilindësve dhe dëshmorëve të atdheut. Në vazhdim të punës tonë, të nisur për mbrojtjen e trashëgimisë historike kombëtare në të gjithë krahinën e Gjirokastrës, sot ndalemi te Memoriali i Hormovitëve dhe disa memorialë të shkatërruar plotësisht që përkujtojnë krimet e shovinistëve grekë në vitin 1914. Pse ky gjak i derdhur dikur nuk respektohet? Vet banorët e fshatit Hormovë janë kujdesur për një lapidar tjetër që ndodhet pranë teqesë në qendër të fshatit, ku u vranë 7 burrat e parë të fshatit nga bandat shoviniste. Pak kilometra më tutje është memoriali i ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e dytë Botërore. Për nder të tyre është ngritur një manastir, një kishë dhe një memorial. Shumë njerëz kanë dalë e kanë folur se pse u bë memoriali i ushtarëve grekë, por askush nuk ka dalë të flasë e të çojë drejt zgjidhjes këtë memorial që ndodhet disa kilometra larg këtij të fundit. Pse banorët e Hormovës nuk kanë autoritetin e nevojshëm për ta ngritur zërin për këtë monument historik, ndërsa të tjerët përdorin një ushtri diplomatike për të bërë një memorial, qoftë me të drejtë apo pa të drejtë. Prandaj, grupi ynë mori përsipër që të çojë zërin fuqishëm për rindërtimin e këtij memoriali”, – thotë Albi Koçi, përfaqësues i këtij forumi. Sipas tij, thirrja e tyre i drejtohet së pari pushtetit lokal për të mos i lënë të degradojnë këta memorialë historikë. Ky forum synon që ky monument të jetë restauruar deri më 28 nëntor të këtij viti, në ditën e pavarësisë. “Çuditërisht, para pak viteve, kur u bë një investim vetëm për vendosjen e një pllake në këtë memorial, u bie në sy mungesa e autorësisë së krimit. Është shkruar thjesht: ‘banda shoviniste’”, – shprehet Koçi. Sipas tij, duket se këto veprime janë të qëllimshme dhe synojnë të transformojnë deri edhe të vërteta historike. “Në këtë jetë gjithkush mund të blejë ose të shesë të tashmen dhe të ardhmen e tij, por të kaluarën askush nuk mund ta shesë, as ta blejë, as ta falë. E kaluara është e shkruar në histori, dhe këto krime janë po pjesë e saj”, – shprehet Albi Koçi. Duke kujtuar se Bashkia e Gjirokastrës i ka dëgjuar herë pas here thirrjet e tyre, forumi shpreson që edhe ky memorial të dalë në dritë, për vet vlerën historike që ka.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”
