Minoritetet, në krye të komisioneve për censusin ku drejtojnë komunat

Serbët kërkojnë përfaqësim edhe në Fier

Minoritarët do të jenë pjesë organike e procesit të censusit të popullsisë dhe banesave në ato zona ku kanë drejtimin e bashkive dhe komunave, por edhe aty ku kanë një shumicë të konsiderueshme popullsie. Kjo, pasi procesi i regjistrimit do të jetë tepër i decentralizuar dhe përveç komisioneve qendrore të tij, rol të veçantë në këtë proces do të luajnë të zgjedhurit vendorë si dhe personat që do të anketojnë dhe kontrollojnë të dhënat e deklaruara. Kjo, për shkak se zyrat bazë të censusit do të jenë në bashkitë dhe komunat e vendit, duke bërë që kryetari i njësisë vendore të ketë të drejta të barabarta me përfaqësuesit e Institutit të Statistikës në nivel qarku dhe po kështu, drejtuesit e drejtorive rajonale. Gjithashtu, në zonat ku gjendet minoriteti, shumë nga anketuesit dhe kontrollorët e të dhënave do të jenë minoritarë, për shkak se udhëzimi i fundit i Këshillit të Ministrave për këtë çështje thekson se personat që do të marrin përsipër këto funksione duhet ta njohin zonën dhe po kështu banorët e saj. Por duket se kjo përfshirje nuk i kënaq drejtuesit e minoriteteve në vend, të cilët kanë kërkuar nëpërmjet kërkesave zyrtare që të përfshijnë përfaqësues të tyre në komisionet e censusit edhe në ato zona ku nuk ka minoritet. Në një prononcim për “Shqip”, kryetari i organizatës së minoritetit grek në Sarandë, Llambi Panteqi u shpreh se, nga institucionet drejtuese të censusit ende nuk është marrë një përgjigje për këtë kërkesë. “Ne kemi përfaqësuesit tanë në të gjitha zonat ku ka minoritet, sepse deri tani, sipas udhëzimeve, kemi vetëm në zonat ku pushteti vendore drejtohet nga ne”, – deklaroi Panteqi. Nga ana tjetër, në një prononcim për gazetën, përfaqësuesi i minoritetit serbo-malazez, Bledar Belja deklaron se ka shumë zona në të cilat ata kanë minoritet, por pamundësi për të qenë pjesëmarrës me përfaqësues në procesin e censusit. “Ndonëse ne si minoritet kemi banorë në zonat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe po kështu në Fier, nuk kemi mundësinë e delegimit të përfaqësuesve tanë në këto zona për të qenë pjesë e regjistrimit”, – thekson Belja, duke shtuar se nuk është e udhës që në përfundim të tij ky proces të kontestohet nga ana e minoriteteve. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e minoritet theksojnë se po presin reflektimin e institucioneve për censusin, dhe po kështu atë të Komisionit Qendror të drejtuar nga ministri i Inovacionit, Genc Pollo. Por mesa duket, përgjigjja zyrtare për këtë kërkesë të përfaqësuesve të minoritetit dhe për të tjerat do të vonojë. Ndërkaq, në faqen e tij zyrtare, INSTAT ka përcaktuar se procesi i censusit të popullsisë dhe banesave do të nisë në 1 tetor dhe do të përfundojë në 21. Por rezultatet e tij pritet të dalin në muajin nëntor, kohë në të cilën do të ndalin misionin edhe komisionet e nivelit të lartë të ngritura për këtë çështje. Censusi, përveç minoriteteve, kundërshtohet edhe nga përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi, por çështjet që palët ngrenë janë diametralisht të kundërta.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Back to top button