134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit
Në disa qytete shqiptare sot shënohet 134 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një datë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare.
Ceremonia qendrore e aktiviteteve po shënohet në Prizren, ku janë të pranishëm kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si dhe personalitete tjera shqiptare nga rajoni dhe diaspora.
Në kuadër të kësaj ngjarje janë paraparë disa aktivitete përkujtimore me një program të pasur kulturo- artistik dhe konferencë shkencore.
Shënimi i 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit sot shënohet edhe në Shkup. Një aktivitet i tillë organizohet nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni si dhe komuna e Çairit.
Aktiviteti do të mbahet në Librarinë e Çarshisë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku do të marrin pjesë personalitete politike dhe të jetës shoqërore dhe kulturore shqiptare.
Në këtë ceremoni do jetë edhe njëri nga pinjollët e familjes së Hasan Prishtinës –Mehmet Prishtina. Shënimi i 134 vjetorit po shënohet me aktivitete kulturore dhe shkencore edhe në viset tjera shqiptare dhe diasporë.
10 qershori i vitit 1878, dita kur u mblodh në Prizren Lidhja e Shqiptarëve, është një datë e shënuar e historisë heroike të popullit tonë. Ajo ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për fatet e kombit tonë, pse bëhej në kohën kur Porta e Lartë e Perandorisë Osmane, në bashkëpunim me carizmin rus dhe me perandoritë e tjera të Evropës, kërkonin ta copëtonin dhe e copëtuan atdheun tonë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje udhëheqësish të shquar politikë, ushtarakë e të kulturës ose vetëm një mbledhje idealiste. Ajo përfaqësonte vullnetin e gjithë kombit shqiptar, që nga skaji i jugut deri në Mitrovicë e Kaçanik, në Plavë, në Guci e deri në Tivar.
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”