Incidentet në Merdarë, mbyllet përkohësisht kufiri me Serbinë
Prishtinë, 28 qershor 2012, ZSH – Pas incidentit të mëngjesit të së enjtes kur në pikën kufitare me Serbinë, Merdarë, ekstremistët serbë lënduan me gurë 32 policë të Kosovës, autoritetet kosovare kanë mbyllur përkohësisht kufirin.
Këtë vendim e bëri të ditur në Kuvendin e Kosovës, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili raportoi për incidentet e shkaktuara nga huliganë e ekstremistë serbë, të mbërritur në kufirin e Kosovës me dy autobusë për të marrë pjesë në festimin e Vidovanit.
Ministri Rexhepi tha se gjatë incidenteve u lënduan 32 policë, por sipas tij, asnjëri syresh nuk është lënduar me armë zjarri, raporton RTK.
Sipas Rexhepit, incidenti ndodhi pasi dy autobusë me serbë u ndaluan në Vushtrri nga Policia e Kosovës, pasi ata provokuan policinë dhe manifestuan sjellje të rrezikshme.
Rexhepi tha se ekstremistët ishin të dehur dhe për këtë arsye depërtuan përmes pikëkalimit në Merdare.
Ai bëri me dije se serbët sulmuan me gurë policët nga zona neutrale, duke plagosur 32 vetë, nga të cilët 9 policë po trajtohen në QKUK.
Sipas autoriteteve të spitalit, policët e lënduar po marrin mjekim në urgjencën e spitalit të Kosovës.
Nga të dhënat dy prej policëve të lënduar kanë marr lëndime më të rënda dhe pritet të hyjnë në sallën e Kirurgjisë, për t’u trajtuar në 48 orët e ardhshme.
Ndërsa të tjerët, pas diagnostikimit dhe shërbimeve konsultative laboratorike dhe radiologjike, do të lirohen për shërim të mëtejshëm në shtëpi.
Beji “Like” me poshte faqes ne facebook ” Zgjohu Shqiptar !!! “ — Me pas klikoni ketu per ta shperndare ne profilin tuaj. Faleminderit !