Prishtina feston 13-vjetorin e çlirimit nga okupimi serb

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, kremtoi sot 13-vjetorin e çlirimit nga forcat okupuese serbe.

Gjatë ditës Komuna e Prishtinës ka organizuar një numër aktivitetesh për të nderuar Ditën e Çlirimit të Prishtinës, ku më i veçanti ishte zbulimi i maketit të projektit të Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa deklaroi se është ndarë buxheti i nevojshëm për ndërtimin e sheshit, punimet për të cilin do të nisin në fund të qershorit.

“Është përfunduar projekti dhe periudha e tenderimit. Ne mendojmë se në fund të këtij muaji do të fillojnë punimet. Dëshirojmë që edhe sheshi t`i përngjajë veprës së Zahir Pajazitit, të jetë një shesh i admirueshëm ashtu siç është Zahiri i admirueshëm për të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe Kosovës”, tha Mustafa.

Bashkëluftëtari i Heroit Zahir Pajaziti, Rrustem Mustafa-Remi, tha se komuna e Prishtinës me këtë projekt po tregon respekt për dëshmorët dhe familjet e tyre.

“Sot hapur po e njohim punën e Komunës së Prishtinës e cila në veçanti ka bërë për luftëtarët e lirisë dhe vlerat e luftës sikur në ndarjen e trojeve në shtëpitë dhe përkujdesjen e ndryshëm për luftëtarët e dëshmorët e deri te sheshi “Zahir Pajaziti”, i cili është më i madhe deri më tani”, tha Rrustem Mustafa Remi.

Në kuadër të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, kryetari i komunës Isa Mustafa ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar në këtë ditë me nderim të madh angazhimin e popullit të Kosovës për liri.

“Sot e kujtojmë Prishtinën e vitit 1968, Prishtinën e vitit 1981, Prishtinën e vitit 1989, Prishtinën e vitit 1997, Prishtinën që i dha djem e vajza, ushtarë e dëshmorë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Populli i Kosovës i cili u sakrifikua aq shumë për çlirim, largimin e okupatorit e përjetoi si një hap të madh e shpresëdhënës për zhvillimin e shoqërisë tonë drejt lirisë politike, barazisë me popujt e tjerë dhe drejt zhvillimit ekonomik e të mirëqenies sociale. Çlirimi nuk u pasua me zhvillimin e Prishtinës, por me uzurpimin e saj nga pushtetarë të cilët interesin e tyre e vendosën para interesit të qytetarëve.

Sot, 11 Qershori, Prishtinën e gjen, si kryeqendër të qytetarëve të varfër e të papunë, e të pushtetarëve të pasuruar në kurriz të qytetarëve. Prishtina sot është kryeqyteti që thahet verës për mungesë uji e që mërdhinë dimrit për mungesë ngrohje”, deklaroi Vetëvendosje.

Vetëvendosje kritikoi qeverinë duke nënvizuar se familjet e dëshmorëve sot në Prishtinë jetojnë në kushte të mjerueshme, ndërsa kujtoi se varrezat e atyre që dhanë jetën për liri janë ende të parregulluara.

Vetëvendosje nënvizoi se Prishtina e sotme është e uzurpuar nga ndërtimet pa leje dhe e ngulfatur nga kaosi në komunikacion.

Aktivitetet kushtuar ditës së çlirimit të Prishtinës do të përmbyllen me koncertin festiv që do të organizohet në mbrëmje në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT