Së shpejti, Kosova marrëdhënie diplomatike me Lihtenshtajnin
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, përmes akreditimit të ambasadorëve, do të vendosen në të ardhmen e afërt
Principata e Lihtenshtajnit dhe Republika e Kosovës janë pajtuar që të vendosin marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve, thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Jashtme të Kosovës .
“Pas kërkesës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, Ambasada e Lihtenshtajnit në Bernë ka konfirmuar pajtueshmërinë e kësaj Principate për të vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta diplomatike me Republikën e Kosovës, duke u bazuar në Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, të 18 prillit 1961.
Pas këtij pajtimi të ndërsjellë, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, përmes akreditimit të ambasadorëve, do të vendosen në të ardhmen e afërt”, bën të ditur komunikata.
“Principata e Lihtenshtajnit e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, më 25 mars 2008, duke qenë një ndër shtetet e para që e ka marrë një vendim të tillë.
Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka intensifikuar përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve dhe raporteve konkrete, me të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Për realizimin e këtij objektivi, MPJ ka iniciuar procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, qoftë përmes hapjes së misioneve të reja, por edhe përmes akreditimit në këto shtete, të ambasadorëve jorezidentë”, thuhet në fund të komunikatës.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.