Shqipëria e 1912-s në fotot e francezëve
Tiranë, 22 qershor – Dëshmi fotografike të gazetarëve, operatorëve dhe reporterëve të Armatës franceze që kanë qenë të pranishëm në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore janë bërë të njohura të enjten mbrëma në Muzeun Historik Kombëtar, në ekspozitën “Vështrime të ndërthurura: Franca në Shqipëri”.Ekspozita me 150 fotografi është përgatitur nga studiuesi Valter Gjoni, hulumtues dhe koleksionist i tyre, drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Bashkinë e Tiranës.
Te “Vështrime të ndërthurura: Franca në Shqipëri” janë bërë bashkë fotografi të realizuara këtu e mbi 90 vite më parë nga gazetarë të mediave më të njohura franceze që kanë qenë të pranishme në vitet 1912-1922 në Shqipëri.
“Në fokus të dëshmive fotografike janë personazhet dhe ngjarjet historike të një dekade nga Shpallja e Pavarësisë deri në njohjet e para diplomatike, dëshmohen përpjekjet e Qeverisë së Ismail Qemalit për njohjen e Pavarësisë, operacionet luftarake, administrimi civilo-ushtarak i vendit dhe ndihma humanitare në territorin e Shqipërisë. Në mbyllje është fotografia e ministrit të Francës, që zyrtarizon njohjen e shtetit shqiptar nga Franca”, raportojnë mediat shqiptare.
Në fotot e ekspozuara bashkë me artikullin e gazetës franceze “L’Illustration”, të 10 majit të 1913-s, shihen “malazez duke gërmuar në tokën shkëmbore të kodrës së sapopushtuar për të varrosur të vrarët e tyre”. Fotografia është realizuar nga H. Grant. Vijon fotografimi i Shqipërisë së kohës, me evakuimin e qytetit nga trupat e Esat Pashës, në një tjetër foto është Esat Pashë Toptani, që ia dorëzon çelësat e fortesës princit trashëgimtar të Malit të Zi. “Fotot dëshmojnë faktin që jo vetëm arkivat apo muzetë, por edhe koleksionet e gazetave mund të sjellin një informacion shumë të detajuar për këtë periudhë historike”, ka thënë studiuesi Gjoni.
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”