Bashkimi kombëtar, jo vetëm një ëndërr e guximshme, por ideal i çdo shqiptari

Intervistë me Zotin Besnik Rama, zëri i shqiptarëve në Diasporë.

Mynih Korrik 2012. Intervistoi: Fatbardha Aziri–Kondakçiu gazetare akredituar në EPF në Gjermani.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Zoti Rama, së  pari faleminderit për pranimin e ftesës për këtë intervistë. Në arenën politike shqiptare kanë ndryshuar disa gjëra.Tashmë ne kemi një president të ri, Zotin Nishani. Si e shikoni ju klimën e sotme politike në Shqipëri?
Besnik Rama:
 Pas zgjedhjes së Presidentit të vendit, zgjedhje të cilat kaluan nën vërejtjet dhe kritikat e shumta të ndërkombëtarëve,  faktorët politikë të jetës së vendit nuk arritën të bashkohen  në një çështje kaq të rëndësishme. Këto dhe mjaft probleme të mëparshme e kanë thelluar krizën politike shqiptare, duke mos u mjaftuar me atë ekonomike dhe shkallën e lartë të papunësisë në Shqipëri.  „Skena“ e zgjedhjes së presidentit ishte një shfaqje e rëndë në sytë e botës, por mbi të gjitha do të reflektojë, në mos ka nisur, në pushtetin gjyqësor dhe atë të medias, me një monopolizim dhe përqëndrim  pushteti. (Ekzekutivi dhe shumica e legjislativit drejtohet nga një dorë me pult).
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Si mendoni se ndikon kjo në  jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë?

Besnik Rama:
 Tani hallkat e shtetit  janë në duart e një grushti njerëzish, duke rrezikuar vërtet shtyllat e demokracisë, por edhe duke ndikuar në këtë mënyrë,  në rëndimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, ku të varfërit e shumtë do të varfërohen më tepër dhe të pasurit e paktë do të pasurohen më shumë.
Rritja e kriminalitetit në vend dhe vetëvrasjet e shpeshta të bëjnë të mendosh se kriza politike dhe ekonomike ka sjell atë sociale, rrjedhimisht rëndimin psikologjik të individit. Pra, mos i shikoni aspak gjërat e shkëputura njëra nga tjetra. Një thënie e madhe thotë: „ Në botë nuk ka vetëvrasje, por vetëm vrasje“, kjo të bën të mendosh se mënyra se si po funksionon sot shteti shqiptar i ka çuar shqiptarët në vetëvrasje, pra duke u mbështetur tek thënia e lartpërmendur i bie që shteti është vrasësi i popullit shqiptar, i lodhjes së tij,  papunësisë së tij etj.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Si popull ballkanas ne jemi shumë  të  politizuar. Pra ju mendoni se populli është i lodhur tashmë?

Besnik Rama:
 Qytetarët janë të lodhur, aq sa në çdo palë zgjedhje që janë zhvilluar është vënë re rënia e pjesëmarrjes së tyre. Kështu do të ndodhë edhe në vitin 2013, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.  Edhe pse kjo nuk është aspak vlerësuese për popullin tonë, pasi nëse ai është i lodhur, i dërrmuar apo i mposhtur nga problemet e hallet e shumta, atehere ai duhet të largojë « prishësit » apo « vrasësit » e ëndrrave  të ardhmes së fëmijëve të tyre. Kështu, krijohet përshtypja se pakica e popullit shqiptar krijon qeverinë, shumicën qeverisëse. Lodhja e njerëzve vjen nga një politikë e papërgjegjshme, që përveç se i ka ndarë shqiptarët mes tyre, ka krijuar edhe shumë dhimbje sociale e plagë të rënda tek familjet shqiptare. Pushteti nuk duhet bërë një me shtetin. Institucionet e vendit duhet të jenë të pavarura dhe të vetëdijshme për detyrat dhe përgjegjësitë që kanë mbi supe. Populli ynë kërkon siguri dhe mirëqënie sociale,  për vete, familjen dhe mbi të gjitha për fëmijët që rriten në shumë raste pa bukë, pa kujdesje sociale, pa integrim apo edhe analfabet. E kjo nuk është veçse minimumi i kërkuar, e kur nuk sigurohet edhe kjo, atëherë mund të themi me siguri se qeveritë socialiste dhe demokratike, në këto vite kinse demokracie, nuk kanë bërë sa dhe siç duhet për popullin. Pra, klima politike nuk është në shërbim të nevojave të përditshme të popullit shqiptar, por në shërbim të pasurimit të vetvetes.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Zoti Rama ju jetoni në Gjermani dhe njihni nga afër problemet e shqiptarëve në diasporë. Cila është gjendja aktuale e emigrantëve shqiptarë që janë shpërndarë pothuajse ngado?
Besnik Rama: Gjithë Europa është në  krize ekonomike,  sidomos Spanja, Italia dhe Greqia, ku nuk janë të pakta ndërmarrjet dhe kompanitë e mbyllura, njerëzit e papunë që shtohen apo edhe vdesin si shkak i kësaj krize nga stresi dhe depresioni. Kështu, emigrantët shqiptarë në më të shumtën e rasteve bëjnë punë të rënda, të cilat shumë perëndimorë nuk mund t’i realizojnë. Ka edhe shumë prej emigrantëve shqiptarë që kanë mbetur papunë. Ka edhe prej atyre që në familje kanë një të punësuar etj. Pra, kriza aktuale ekonomike që ka mbërthyer ka ndikuar edhe tek emigrantët shqiptarë, në Europë dhe kudo tjetër ato ndodhen. Nga ana tjetër, dërgesat e emigrantëve në vlera monetare e materiale në drejtim të vendit tonë, nuk rreshtin – dhe pse ato sot janë reduktuar ndjeshëm. Mërgata shqiptare dërgon në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Pa ndihmën e mërgatës, padyshim mjaft familje shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës do të vdisnin nga uria. Kontributi i emigrantëve tanë ka qenë i përhershëm.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Mendoni se diaspora shqiptare është e përfaqsuar në jetën politike e vendimarrjet në vendin tonë?

Besnik Rama:
 Përfshirja e diasporës  në vendimmarrjen e shtetit mëmë  ka qënë ku e ku më e paktë apo thuajse aspak. Pra, nga njëra anë ata, ne, kontribuojmë për vendin tonë dhe zhvillimin ekonomik të tij dhe nga ana tjetër nuk kemi asnjë ndikim në projektbuxhetin apo vendimmarrjet sociale e ekonomike të vendit tonë. Kudo në vendet perëndimore, kjo do të ishte shumë absurde dhe e papranueshme.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Pra si duket  duhet të ngushëllohemi me këtë realitet të hidhur?
Besnik Rama: Unë them jo, po sa janë si unë që thonë jo, e që hidhen në vepra konkrete për të  rrëzuar  këtë klikë, e cila po na mbyll derën e atdheut, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe mbi të gjitha po varfëron çdo ditë e më tepër familjet dhe gjakun tonë, që jeton në Shqipëri?!

Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Ju lutem më lejoni që të prekim një temë tjetër. Çfarë mendoni për investimet e huaja në Shqipëri?

Besnik Rama:
 Pikë së pari, e quaj absurde dhe të papranueshme kategorikisht që një individë i huaj, kushdoqoftë, investon në Shqipëri një shumë prej 100.000 € dhe ai ka të drejtën të pajiset menjëherë me nënshtetësi shqiptare, pra rrjedhimisht edhe me pasaportë shqiptare. Kjo sinqerisht që është e padrejtë dhe turpshme për vendin tonë. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë Shqipëria i mohon edhe ndihmën e madhe e të gjithëkohshme që SHBA-të kanë bërë për të. Nga ana tjetër, vendi ynë mund të bëhet një strehë e mirë për krimin e organizuar në Ballkan, mafioz, apo ekstremistët islamikë etj.
Kush prej këtyre nuk do të investonte 100.000 € për të marrë siguri dhe nënshtetësi në Shqipëri?! A thua një kriminel apo njëri nga këto militantët ballkanas nuk e disponon një shumë të tillë?! E padrejtë dhe fyese, e pamoralshme dhe me kosto të gjithanshme është edhe fakti që shumë projekte dhe tendera rrugësh janë fituar dhe financohen nga investitorë serbë. Sinqerisht, ndihem vërtet keq. Dhe bashkë me mua ndihen edhe të gjithë ato shqiptarë që e duan vendin e tyre dhe e dinë rrezikun që mund të ketë qendërzimi i monopolit në disa klientë, sidomos serbë. Kështu, ne po i themi « bujrum » apo « mirë se vjen » investitorëve kriminel dhe mafioz. Sigurisht, mbi të gjitha kjo do të ketë pasoja të rënda për vetë qytetarin shqiptarë.
Së dyti, në Shqipëri dhe Kosovë unë kam dërguar shumë investitorë të huaj, të cilët kanë realizuar vepra me rëndësi strategjike për të dyja vendet. Në Shqipëri, nga viti 2005 e deri më tani, kam njohur drejpërsëdrejti  këta investitorë edhe z. Berisha, si kryeministër i vendit, të cilët kanë investuar shuma të konsiderueshme në vendin tonë, sidomos në infrastrukturë. Por sërish mjaft prej tyre dalin të zhgënjyer nga marrëdhëniet me shtetin tonë, pasi klima nuk  ju duket e përshtatshme për investime të mëtejshme madhore.
Së treti, gjykoj se investimet e huaja në Shqipëri janë të një rëndësie të lartë, por duhet të ketë një klimë më pozitive dhe më afruese për to. Konkurrenca duhet të jetë e lirë dhe e ndershme. Po ashtu duhen bërë hapa serioz që tenderat të bëhen në mënyrë të hapur elektronike.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Mesa kam ndjekur veprimtarinë  tua,  ju admirojnë shumë shqiptarë. Në këtë qëndrën tuaj i keni bashkuar të gjithë. Sa afër ose larg është bashkimi mes shqiptarëve?

Besnik Rama:
 Bashkimi i shqiptarëve duhet të bëhet dhe kështu ka mundësi  të ndodhë, hap pas hapi, fazë pas faze, por përpara se të arrihet në BE. Së pari, duhet synuar dhe krijuar të gjitha mundësitë për arritjen e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe më pas duhet menduar për shtrirjen graduale drejt bashkimit me shqiptarët në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Lufta e UÇK-së ka qenë sa e drejtë aq edhe e ndikueshme në përshpejtimin e hapave drejt bashkimit të trojeve shqiptare. Po nga ana tjetër ka ndeshur me kundërshtinë dhe frenimin nga politikat e vendeve respektive. Aktualisht, akoma ruaj lidhje me ish-luftëtarë të UÇK-së, që nga koha kur derdhja financa për nevoja të ushtrisë, dhe ato me vullnet të plotë e mendim të pavarur deklarojnë se ëndrra dhe lufta e drejtë e tyre është nëpërkëmbur dhe shtypur nga politikat aspak të mira dhe herë pas here frenuese dhe kundërshtuese për bashkimin e shqiptarëve.
Vullneti i popullit shqiptar si në Shqipëri dhe Kosovë është që bashkimi të bëhet sa më shpejt. Klasa politike na paraqitet frenuese, pasi në segmentë të saj kanë mbjell farë shërbimet e huaja inteligjente, sidomos  ato serbe e greke, madje deri në rang ministrash. Atëherë nevojitet një zgjidhje e drejtë dhe e pranueshme. Pra, ndoshta ka ardhur koha që klasat politike të ndryshohen për arritjen e këtij qëllimi final, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mëmë. Kjo mund të arrihet me ekipe apo skuadra të tjera politike, që i japin vendit siguri, stabilitet, qëndrueshmëri ekonomike e politike, e që janë të gatshme të ruajnë ekuilibrin dhe balancat në Ballkan, edhe pas bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Para 1989 nuk e mendonte kush bashkimin e gjermaneve në një Gjermani të vetme. Po ja që politikan që shkruajnë histori si Kohl e arrijnë këtë. Ndoshta kemi dhe ne të njëjtin fat. Si mendoni se  mund të shkohet drejt bashkimit të trojeve shqiptare?

Besnik Rama:
 ABC-ja është e thjeshtë, por nuk mund të kuptohet nga kokat bosha, që bëjnë pjesë brenda politikës shqiptare, si në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni. Hapja e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, që të mësojnë fëmijët e emigrantëve, kudo ato ndodhen, si dhe çelja e shkollave shqipe në Greqi, Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, është e një rëndësie jetike dhe të veçantë. Literatura që duhet përdorur duhet të jetë thellësisht e pasur në vlera patriotike dhe njohëse të kombit shqiptar, figurave të mëdha të tija dhe autorëve në zë. Nga ana tjetër, duhet bërë edhe një propagandë kombëtare, në një orë të veçantë, gjatë mësimit në këto shkolla, për vlerat e kombit shqiptar si dhe nevojat e bashkimit të tij. Kështu, së paku pasardhësit do të qëndrojnë të lidhur me tokat e prindërve të tyre, tokat shqiptare.
Hapja e një të përkohshmeje, nën emrin  „ALBANIA „  e cila të botohet një herë në muaj, do të mund të jetë katalizator i gjallë dhe i jashtëzakonshëm për grumbullimin e vlerave më të arrira kombëtare. Një e përkohshme, e cila do të njohë shqiptarët anembanë botës, por edhe të huajt me historinë e Shqipërisë, sidomos të kaluarën e saj, figurën e Skendërbeut dhe mjaft heronjve të tjerë deri në ditët sotme, Nënë Tereza apo Ismail Kadare, artin dhe letërsinë shqiptare etj. Qendra e « ALBANIA-s » duhet të jetë Brukseli. Faqet e saj duhet të jenë shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Ekipi drejtues i saj duhet të përbëhet nga intelektualë shqiptarë të dorës së parë, kontributet e të cilëve njihen nga populli shqiptar dhe jashtë tij. Kostot e botimit dhe shpërndarjes së saj duhet të mbulohen nga një buxhet vjetor i Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nga abonimet e shitjet e saj, patjetër edhe nga « dhuratat » e ndokujt, i cili e ndjen se këto të holla shkojnë për mirërritjen e kombit shqiptar, evidentimin e pasurive reale të tij etj. Një e përkohshme e cila të juastifikojë vlerat që pati dikur e një kohë me Faik Konicën.
Pas këtyre, e rëndësishme dhe jetike është që të krijohet një shoqëri, po me emrin e së të përkohshmes, « ALBANIA », e cila boton libra, broshura, kërkime shkencore, harta etj. Mbi të gjitha, një shoqëri kulturore, e cila aktivizohet në promovimin e autorëve shqiptarë dhe të huaj, që flasin për Shqipërinë – promovimin e vlerave më pozitive shqiptare nëpër botë. Më pas për të shkuar tek ëndrra e bashkimit të trojeve shqiptare, duhet të realizojmë edhe pikat e mëposhtme, por kryesoret janë të lartpërmendurat.
Infrastrukura – Rrugët e reja që lidhin më shpejt, me cilësi dhe bashkëkohore, dy shtetet e tanishme, Shqipërinë dhe Kosovën, do të mund të afrojë bashkimin më shpejtë se ç’mund ta mendojmë. Gjithashtu hapja e krijimi i shtegjeve rrugore nga Malësia e Madhe për Mal të Zi dhe nga zonat e Korçës e Pogradecit për në Maqedoni e Greqi.
Tregtia – Tregtimi i mallrave mes dy vendeve, eksporti-importi, do të rrisin prodhimet e dy vendeve, por edhe do të ndikojnë në rritjen e tyre ekonomike.
TEC-HEC – Ndërtimi i TEC-eve në Kosovë dhe HEC-eve në Shqipëri do të mund të krijojnë sasi të konsiderueshme energjie elektrike. Në rast mungesash energjie, në kohë të ndryshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën krejtësisht falas. Ndërkohë, nëse ka sasi të konsiderueshme energjie elektrike, patjetër duhet eksportuar me çmim të njëjtë në vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës.
Diplomacia – Përfaqësimi diplomatik i të dyjave vendeve duhet realizuar së bashku. Pra, një ambasadë për të dyja vendet. Kjo do të shkurtonte dhe kostot e panevojshme financiare. Gjithashtu, diplomacia e të dyja vendeve në raport me vendet e tjera duhet të jetë e njëjtë dhe e përbashkët.
Ekzekutivi – Qeveritë drejtuese të të dyja vendeve duhet të krijojnë një dialog të brendshëm më konstruktiv se ai aktual. Duhet biseduar për projektet e përbashkëta dhe për ndërtimin me seriozitet të veprave të qenësishme për të dyja vendet. Nuk duhet punuar pas shpine, siç rëndom jemi mësuar kohët e fundit nga shtypi, me njëri-tjetrin. E udhës do të ish që populli të zgjojë shpirtin e tij dhe të shporra nga politika qelbanikët që punojnë për shkjaun në kurriz të Shqipërisë.
Sporti – Duhet të ketë një ligë, ku ekipet shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës të ndeshen së bashku. Nga ana tjetër, duhet të ketë një ekip kombëtar për të dyja vendet.
Këto janë disa komponentë të rëndësishëm, të cilët po u zhvilluan shpejt në kohë dhe pozitivisht si frymë, bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të realizohet sa hap e mbyll sytë.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Bashkimi kombëtar është një ëndër e  shumë shqiptarëve, por edhe shumë e guximshme. Cili mund të jetë kontributi juaj për këtë bashkim? Konkretisht cfarë mund të bëni ju personalisht?

Besnik Rama:
 I gjithanshëm. Sot drejtoj një gazetë « Nacional Albania », por organizojmë me shqiptarë të ndershëm e patriotë edhe aktivitete, të cilat rrisin propogandën e bashkimit të shqiptarëve. Veç kësaj,  aktivitetet i realizojmë këtu, në shtetin gjerman, aty ku edhe zhvilloj veprimtarinë time. Po edhe në Shqipëri, përmes të rinjve që punojnë së bashku me ne në kauzën tonë, që « Shqipëria bëhet me shqiptarë të ndershëm e patriotë ». Ndaj, nëse nevojat e vendit kërkojnë bashkimin e të gjithëve në një, ne duhet të lëmë çdo gjë tjetër, e t’i ndihemi këtij bashkimi në një gazetë të vetme, shoqëri të vetme dhe në investime në çelje kursesh në gjuhën shqipe e të shkollave shqipe.
Fatbardha Aziri-Kondakçiu: Zoti Rama, ju falenderoj për kohën që më kushtuat dhe ju uroj suksese në realizimin e projekteve tuaja në të ardhmen.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT