Hoxhaj: Republika Serbe është krijesë gjenocidale
| Enver Hoxhaj |
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të mërkurën pasdite në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.
Pas takimit, dy ministrat kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie. Hoxhaj, para gazetarëve ka uruar ministrin Panariti për detyrën e re në krye të diplomacisë shqiptare, duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e madhe diplomatike që shtetit shqiptar po jep për Kosovën. Ai tha se Shqipëria është një partner i fuqishëm diplomatik, politik, tregtar, arsimor dhe kulturor për Kosovën, dhe se dyja vendet kanë një histori, gjeografi kulturë dhe vizion për integrim evropian.
Hoxhaj po ashtu theksoi se gjatë takimit është biseduar për tema që fillojnë që nga heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës deri te 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, duke i vlerësuar këto momente si dëshmi të ardhmërisë së ndritshme të të dy popujve tanë. Ai po ashtu theksoi interesimin e Kosovës që ta ketë mbështetjen e Shqipërisë sa i përket integrimeve evropiane, sidomos në fushën e liberalizimit të vizave dhe sa i takon studimit të fizibilitetit, në mënyrë që Kosova sa më shpejt ta nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim-asocimit me institucionet në Bruksel.
Në anën tjetër, Panariti u shpreh i nderuar, i privilegjuar dhe i emocionuar që vizitën e parë si Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë po e zhvillon në Kosovë. Ai tha po ashtu se Shqipëria do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më intensivisht me institucionet tashmë plotësisht sovrane të Kosovës, në proceset integruese euroatlantike që ka nisur. “Heqja e pavarësisë së mbikëqyrur është dëshmia më e mirë e konsolidimit dhe fuqizimit të këtyre institucioneve të cilat tashmë janë të gatshme për të ushtruar sovranitet dhe administrim të plotë në të gjithë territorin e Kosovës”, tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë.
Ndërsa lidhur me deklaratat e fundit të disa përfaqësuesve të Republikës Serbe, të cilët i kanë bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të armatosen, Hoxhaj tha se deklaratat e tilla janë të kota, nga një përfaqësues i kotë, i një krijese politike të krijuar mbi viktimat e gjenocidit të ushtruar ndaj boshnjakëve. “Republika Serbe është një krijesë gjenocidiale dhe si e tillë deklaratat e tilla ne nuk i marrim seriozisht dhe nuk kanë kurrfarë efekti në jetën politike të Kosovës. Janë deklarata të cilat reflektojnë një memorie të keqe të asaj se si është krijuar Republika Serbe”, tha Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka komentuar edhe qëndrimet e Vuk Jeremiqit lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke thënë se Serbia ka humbur politikisht, ushtarakisht dhe në rrafshin diplomatik në Kosovë dhe rreth Kosovës dhe se deklaratat e një ministri në shkuarje e sipër nuk duhet të merren seriozisht. “Askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë, askush nuk do ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet evropiane”, tha Hoxhaj.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.