Projekt kombëtar kundër hakmarrjes

Vëllezërit Mikel e Simon Kuzhnini, veprimtar të njohur të çështjes kombëtare, të cilët para disa javësh janë nderuar me çmimin “Nder i kombit” nga presidenti Bamir Topi, kanë prezantuar në Mitrovicë projektin “Stop vëllavrasjes, jo hakmarrje”. Ata thanë se e kanë zgjedhur Mitrovicën me qëllim simbolik për rrethanat që ka për të nisur një projekt kombëtar që do të bartet nga Lidhja Shqiptare në Botë (LSHB).

Projekti është prezantuar gjatë takimit me kryetarin e komunës, Avni Kastrati, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj. Vëllezërit Kuzhnini u shprehën të bindur në suksesin e këtij projekti, për çka kërkuan edhe mbështetjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të të dyja vendeve.
Duke e cilësuar hakmarrjen si një plagë që po e rëndon dhe po e përcjell kombin shqiptar edhe në këtë kohë, ata theksuan se duhet një përkushtim i të gjithëve që të bëhet një prerje e kësaj trashëgimie të keqe. “Është një plagë që e ka lënduar kombin tonë, për çka ne duhet të angazhohemi dhe ta stopojmë një herë e përgjithmonë”, tha Mikel Kuzhnini, njëri prej dy vëllezërve të njohur nga Prizreni, të cilët janë bërë të njohur me veprimtarinë e tyre kombëtare në Kroaci ku jetojnë dhe punojnë që shumë vite.
Ndërsa vëllai tjetër, Simoni, sqaroi se ideja është që në secilën komunë të Kosovës të përzgjidhen nga pesë, ndërsa në Shqipëri nga dy personalitete prej çdo bashkie, që gëzojnë autoritet në popull, të cilët do të përfshihen në Këshillin kombëtar që do të formohet për këtë qëllim. “Ende është duke u punuar në përpunimin e detajeve, mirëpo qysh tani kemi një përkrahje të madhe për këtë projekt, që do ta ndihmoj kombin shqiptar që sa më parë të zë vendin e duhur krahas popujve të qytetëruar të perëndimit”, tha ai.
Këtë projekt e ka vlerësuar shumë dhe e ka mirëpritur edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, si dhe homologu i tij, Pal Lekaj, të cilët janë zotuar se do ta mbështesin këtë nismë me të gjitha kapacitetet. Kryetari Kastrati tha se është një projekt që duhet ta bashkoj kombin shqiptar në të mirë të të rinjve dhe perspektivës evropiane.
Në anën tjetër, vëllezërit Kuzhnini, të shoqëruar me kryetarët Kastrati dhe Lekaj, kanë vizituar Muzeun e Kristaleve në Trepçë dhe mandej Kroin e Vitakut në veri. Ndërsa në fundjavë vëllezërit Kuzhnini pritet të organizojnë në Prizren edhe një pritje për shumë personalitete të shquara të politikës, artit, kulturës etj, nga Kosova dhe Shqipëria, për të festuar së bashku çmimin “Nder i kombit”.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT