Protesta në Tiranë deri në heqjen e taksës doganore të çimentos
Tiranë, 16 korrik – Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë ka paralajmëruar një protestë për mesjavë përpara Ministrisë së Ekonomisë e Tregtisë dhe Ambasadës së Kosovës në Tiranë kundër taksës doganore të vendosur nga Qeveria e Kosovës me 35% për importin e çimentos shqiptare. Ky paralajmërim është bërë nga kryetari i Sindikatave të Minatorëve, Gëzim Kalaja, në konferencën e 6-të të rajonit mineralo-industrial të Tiranës.
“Të mërkurën ose të enjten, këtë do ta vendosin strukturat organizative të BSPSH-së (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë), do të organizohet një protestë përpara Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës dhe para Ambasadës së Kosovës në Tiranë, dhe protesta do të vazhdojë në mënyrë konstante deri në tërheqjen e vendimit për çimenton nga autoritetet e Kosovës”, paralajmëroi Gëzim Kalaja.
Tarifa e çimentos prej 35% e vendosur që më 11 qershor nga MTI-ja në Kosovë ka bllokuar pothuajse fare importin e çimentos nga Shqipëria, ku ky vend zotëronte rreth 40% të tregut në Kosovë. Marrja e kësaj mase nga MTI-ja ka hasur në reagime si në Shqipëri e Kosovë, shoqëruar me protesta dhe deklarata të subjekteve politike në Kosovë ku është kërkuar heqja e kësaj takse. Parlamenti i Kosovës ka dështuar dy herë radhazi në nismën e tij për hartimin e një rezolute që do të detyronte MTI-në të hiqte taksën e çimentos së importit prej 35%. Shkak për këtë dështim është bërë mungesa e “kurdisur” e kuorumit të nevojshëm në Parlamentin e Kosovës për rrëzimin e vendimit që ka shkaktuar shumë polemika në Kosovë e Shqipëri.
Dështimi për të dytën ditë rresht i votimit për shfuqizimin e vendimit të ministres Mimoza Kusari- Lila për tarifën prej 35 për qind për importin e çimentos nga Shqipëria është pritur me indinjatë nga kompani dhe biznese të Kosovës. Përveç indinjatës së shprehur me këtë rast përfaqësuesit e biznesit shprehen se të gjitha pasojat do të bien mbi konsumatorin e thjeshtë të Kosovës. Vendosja e taksës doganore për çimenton në masën 35 për qind nga ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, është kundërshtuar ashpër edhe nga përfaqësuesit e biznesit në Shqipëri. Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, në një intervistë dhënë të përditshmes “Koha Ditore” e konsideroi vendosjen e taksës së çimentos si një problem që erdhi në mënyrë krejt të papritur dhe kaloi jashtë çdo lloj perceptimi të mundshëm. Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë përsëriti edhe një herë përmes intervistës kërkesën që vendimi për taksën e çimentos të anulohet menjëherë për t’i lënë shteg një tregu të hapur ku të mbijetojë ai më i miri.
Me 24 qershor, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një vizitë “blic” në Tiranë, ku në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Sali Berisha ai foli edhe për problemin e çimentos.
”Ditët e ardhshme do të takohen autoritetet e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhomat ekonomike do të diskutojnë, në të njëjtën kohë, po ashtu dhe ministritë përkatëse. Ndërkohë, flas me besim të plotë se do të jetë çështje e tejkaluar”, qe shprehur asokohe Thaçi.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.