Rexhepi: Serbia do të shkelë betimin, Kosova s’ia ka frikën

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se askush nuk duhet frikuar nga betimi i xhandarëve serbë për të luftuar dhe vdekur për Kosovën. Në një deklarim të shkurtër për “Kohën Ditore”, ai është shprehur i sigurt se një betim i kësaj natyre do të shkelet, ashtu siç janë shkelur edhe shumë betime të tjera nga ultranacionalistët serbë. “Megjithëse kjo është çështje interne e tyre, unë jam i sigurt se xhandarmëria serbe do ta shkelë betimin që ka dhënë. Sa herë janë betuar, ata kanë dështuar. Kjo është në traditën e tyre”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi ka deklaruar se thirrjet ultranacionaliste janë të pritshme, e sidomos tani kur në Serbi kanë fituar forcat radikale. “Me fitoren e Ivica Daçiqit mund të priten paralajmërime të tilla, por unë them se thirrjet e tij për ta kthyer ushtrinë dhe xhandarmërinë në Kosovë janë vetëm fontanë dëshirash dhe iluzion i tij”, ka deklaruar Rexhepi. Idetë për konflikte të reja në Ballkan, siç ka thënë ai, mund të ekzistojnë vetëm te njerëzit që nuk e njohin realitetin në të cilin janë duke jetuar.

“Edhe intervenimet, edhe konfliktet në Ballkan kanë përfunduar. Nxitjet për luftë janë vetëm në mendjet e njerëzve që nuk e kuptojnë realitetin, ose në mendjet e atyre që këtë e bëjnë vetëm për qëllime të caktuara politike”, ka theksuar Rexhepi.

I pajtimit që thirrjet e xhandarëve serbë për t’u kthyer dhe për vdekur për Kosovë nuk mund të realizohen, është shprehur edhe analisti për çështje ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, mirëpo, ky i fundit për dallim nga Rexhepi, konsideron se kërcënimet nga Serbia megjithatë nuk duhet hedhur e injoruar plotësisht.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT