Shqipëria mbështet Kosovën në të gjitha proceset politike
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, ndërkaq ky i fundit ka ofruar mbështetjen e pa rezervë të qeverisë shqiptare për proceset politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Në njoftimin për media thuhet se zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar ministrin Panariti me proceset politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, me theks të veçantë procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.
“Kosova është duke shënuar progres në konsolidimin si shtet”, ka thënë Pacolli, duke falënderuar shtetin shqiptar për angazhimin e vazhdueshëm në përkrahjen e shtetit të Kosovës, për të marrë njohje të reja.
Pacolli ka kërkuar nga ministri Panariti, që të ketë koordinim edhe në të ardhmen, veçanërisht në prag të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se MPJ e Shqipërisë dhe gjithë Qeveria shqiptare janë në mbështetje të parezervë të proceseve politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Ministri Panariti, ka thënë se shteti shqiptar, do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në të gjitha pjesët e territorit.
Gjithashtu, Panariti ka thënë se Republika e Shqipërisë, do të vazhdojë të luajë rolin e vet në lobimin për njohjet e reja për shtetin e Kosovës.
Në këtë kontekst, Panariti ka vlerësuar punën e zëvendëskryeministrit Pacolli, veçanërisht në thyerjen e “akullit” tek vendet afrikane.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.