Klinaku: Edhe Kosova Lindore në bisedime
| Avni Klinaku |
Lëvizja për Bashkim konsideron se bisedimet Kosovë-Serbi vetëm për veriun e Kosovës, duke e anashkaluar Kosovën Lindore, jo vetëm që nuk përbëjnë zgjidhje të përhershme të problemit, por e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Lideri i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, në një konferencë shtypi, sot, ka thënë se partia e tij në parim, i mirëpret deklarimet dhe angazhimet e faktorëve politik ndërkombëtarë për një dialog politik në mes të Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të dy shteteve dhe popujve.
Mirëpo, ai insistoi që bisedimet Kosovë-Serbi vetëm për veriun e Kosovës duke e anashkaluar Kosovën Lindore, jo vetëm që nuk përbëjnë zgjidhje të përhershme të problemit, por e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe çështjen shqiptare, si dhe do të rrisnin rrezikun për destabilizim politik të rajonit në të ardhmen.
Klinaku ka kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që ta trajtojnë seriozisht situatën nëpër të cilën po kalon vendi dhe të organizojnë një tryezë konsultuese të partive politike shqiptare të Republikës së Kosovës dhe të subjekteve politike shqiptare të Kosovës Lindore ku do të harmonizohej platforma për bisedimet politike Kosovë-Serbi, që do t’u shërbente përfaqësuesve të Kosovës si udhëzues për ato bisedime.
Ai u ka bërë thirrje përgjegjësve politik të Kosovës që të mos hyjnë në bisedime politike pa u përgatitur, sepse në këtë rast, dëmet mund të jenë shumë të mëdha.
Rreziku i vërtetë Kosovës, sipas liderit të kësaj Lëvizjeje Avni Klinakut, nuk i vjen nga bisedimet politike, por nga platforma mbi të cilën udhëhiqen ato.
“Dhe në qoftë se ne nuk angazhohemi rreth platformës sonë, por vazhdojmë të insistojmë se nuk do të ketë bisedime politike do të përfundojmë duke biseduar me platformë të tjerëve”, ka thënë kreu i Lëvizjes për Bashkim.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.