Alfred Moisiu: Ndërkombëtarët ose të reagojnë si duhet, ose të hiqen mënjanë
Ish-presidenti Alfred Moisiu, duke folur në një intervistë për
“A1Report”, ka bërë thirrje që shqiptarët të dalin të votojnë masivisht
më 23 qershor, për të ndryshuar të ardhmen e tyre. Gjatë intervistës së
tij, Mosiu ka kërkuar ndërkohë nga ndërkombëtarët që këtë radhë të
veprojnë si duhet, ose të hiqen mënjanë.
“Në radhë të parë dua të jap mesazhin për bashkëqytetarët e mi:
shkoni në votim, jepini zërin e mendimin tuaj atje. Sepse më vonë janë
të kota muhabetet. E dyta, politikanëve tanë u them që të kuptojnë një
gjë, që nëse Shqipëria del në mënyrë pozitive nga kjo katrahurë që është
bërë aktualisht, do të jetë meritë e tyre; nëse Shqipëria futet akoma
më shumë në këtë katrahurë, do të jetë jo vetëm turpi i tyre, por edhe
përgjegjësi e tyre. Dhe ne vërtetë do të kërkojmë që ata të përgjigjen
ligjërisht te qytetarët shqiptarë. Ndërsa ndërkombëtarët: nëse duhet të
ndihmojnë, duhet të ndihmojnë siç duhet. Ose të rrinë mënjanë dhe të
hapin defterët e të mbajnë shënim”, ka thënë ish-presidenti, që ndërkohë ka folur edhe për ndikimin e ambasadorëve në Shqipëri.
Ai ka “denoncuar” pushtetin e madh që kanë ambasadorët, as sa thotë
se kur organizon ndonjë aktivitet me ish-presidentin Meidani, të gjithë
pyesin nëse do të ketë të pranishëm edhe ndonjë ambasador.
“Edhe vetë ndërkombëtarët nuk e kuptojnë kur vijnë këtu tek ne,
se sa të rëndësishëm paskan qenë. Në fakt keni faj edhe ju të medias…Ne
kemi forumin, jemi dy ish-presidentë, dhe kur lajmërojmë mediat për
ndonjë aktivitet, pyetet: do vijë ndonjë ambasador. Unë s’e kuptoj”, ka thënë Mosiu.
Ish-presidenti ndërkohë, është shprehur i bindur se vendit i duhet rotacion.
“Uji që rri shumë gjatë qelbet. Tetë vjet… tani duhet rrotacion.
Vetëm fakti që Shqipëria ka gjithë këto probleme, duhet ndryshim. Dhe
ndryshimi i vendit vjen nëpërmjet ndryshimit të pushtetit”, tha ai.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.