Kërkuan pagat e prapambetura, naftëtarët pushohen nga puna
Rreth 600 punonjës të KPTHN-së së Ballshit firmosin një peticion
- Punonjësit do të bojkotojnë punën nëse nuk u paguhen 4 muajt e prapambetur dhe nuk rikthehen kolegët
Edmond Hoxhaj
Për shkak të mosmbajtjes së premtimit nga ana e drejtuesve të kompanisë ARMO për likuidimin e gjithë pagave të prapambetura të punonjësve të KPTHN-së së Ballshit brenda muajit maj, këta të fundit kanë nisur një grevë disaditore duke bojkotuar punën. Qindra punonjës të KPTHN-së kanë kërkuar disa ditë më parë që të mbahej premtimi dhe t’u shlyheshin katër pagat e prapambetura. Por një gjë e tillë duket se ka sjellë pakënaqësi te drejtuesit e ARMO-s, të cilët kanë zgjedhur që të “ndëshkojnë” një pjesë të punonjësve, pikërisht të atyre që kanë ngritur zërin për të kërkuar të drejtën e tyre, pagesën mujore për të cilën punojnë. Kështu, mëngjesin e djeshëm, rreth 25 punonjës të KPTHN-së janë ndaluar nga rojat e sigurisë që të hyjnë në ambientet e uzinës. Duke pasur në dorë listat me emrat e punonjësve, ata kanë ndaluar që të hyjnë aty rreth 25 prej tyre, duke u thënë se janë të pushuar nga puna. Para se të bënin pushimin nga puna, kompania është kujdesur që t’u paguajë tri rroga nga katër të prapambeturat 25 punonjësve që prej një jave janë bërë zëri i qindra kolegëve të tyre duke kërkuar që të respektohej marrëveshja e dy muajve më parë, kur u premtua se do t’u jepej çdo detyrim financiar. Pas ndalimit të këtij grupi punonjësish, qindra kolegë të tjerë u janë bashkangjitur duke bojkotuar punën ditën e djeshme e në vazhdim, derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Për rreth tetë orë ata kanë qëndruar para portës hyrëse të uzinës se Ballshit dhe u kanë bërë thirrje drejtuesve të ARMO-s që të kryejnë pagesat e prapambetura dhe të rikthejnë në punë të larguarit pa asnjë paralajmërim. Të gjithë së bashku, rreth 600 punonjës të KPTHN-së Ballsh kanë vendosur që të firmosin një peticion drejtuar instancave më të larta shtetërore, atyre ndërkombëtare dhe mediave qendrore ku kanë kërkuar pasqyrimin dhe zgjidhjen e kësaj situate. Kjo, pasi punonjësit e kontaktuar nga gazeta “Shqip” kanë pohuar se mediat lokale e ato kombëtare janë ndaluar që të filmojnë e të pasqyrojnë situatën, pasi u është bërë shantazh i hapur.
Peticioni
Peticioni i firmosur nga më shumë se 600 punonjës të KPTHN-së i drejtohet Kryeministrit Sali Berisha, kryeparlamentares Jozefina Topalli, kryetarit të Partisë Socialiste e njëkohësisht kreut të ardhshëm të ekzekutivit, Edi Rama, ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Florian Mima, ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, Avokatit të Popullit, Igli Totozani, ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, misionit të BE-së në Tiranë dhe mediave kombëtare “Top Channel”, TVSH, “Klan”, “News 24” etj. Aty sqarohet fakti se punonjësit e KPTHN-së së Ballshit kanë hyrë në muajin e pestë që punojnë pa u paguar nga punëdhënësi kompania “ARMO Taçi Oil”. Gjithashtu ata denoncojnë faktin se po përballen me presionin e ushtruar nga drejtuesit e kompanisë. “Prej disa ditësh jemi në grevë dhe nuk kemi pasur asnjë zgjidhje. Veç faktit se nuk na është dhënë asnjë zgjidhje po përballemi me një presion të madh dhe masa ndëshkimore nga punëdhënësi dhe “brigadierët” e tij. Po pushohen dhe nuk lejohen të hyjnë në uzinë punonjësit që po kërkojnë të drejtat e tyre elementare. Janë ndaluar dhe u është bërë shantazh mediave vizive, si ato lokale e ato kombëtare për të bërë punën e tyre për pasqyrimin e situatës reale në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh”, thuhet në peticion. Aty shtohet fakti se përfaqësuesit e ligjshëm sindikalë janë pushuar nga puna dhe se kjo politikë ndëshkimore ka vazhduar edhe dje. Ndërkaq, dhjetëra punonjës të KPTHN-së kanë shprehur frikën e tyre për përkeqësim të situatës, e cila sa vjen dhe bëhet edhe më konfliktuale. Ata kanë kërkuar medoemos ndërhyrjen e shtetit, para se të ndodhë ndonjë tragjedi njerëzore.
Varfëria
Banorët, frikë për të ardhmen e qytetit të tyre
Banorët e Ballshit ndihen të kërcënuar nga situata aktuale në KPTHN, për shkak se pjesa më e madhe e kryefamiljarëve të këtij qyteti janë të punësuar aty. Ata pohojnë se mospagesa e më shumë se 700 punonjësve ka sjellë për pasojë një varfëri të skajshme te familjet e qytetit të Ballshit. Kjo, pasi ka qindra familje që mbijetojnë prej vitesh me pagën që kanë marrë duke punuar në KPTHN. Ndërkaq, të frikësuar për të ardhmen e tyre ndihen edhe tregtarët. Ata pohojnë se kriza ekonomike në qytetin e tyre sa vjen e thellohet. Tregtarët evidentojnë dy faktorë kryesorë të kësaj krize, atë të anashkalimit të qytetit nga superstrada e re që u ndërtua dhe mosdhënia rregullisht e pagesave naftëtarëve. Tregtarët e produkteve ushqimore theksojnë se listat e borxheve të klientëve të tyre sa vijnë e rriten. Ndërsa tregtarët e produkteve industriale dhe të atyre të ndërtimit, pohojnë se shitjet janë duke shkuar drejt zeros. Ata shtojnë se druhen që me këtë situatë në të cilën ndodhet uzina mund të pushojë se punuari duke sjellë përfundimisht braktisjen e qytetit e për pasojë rrënimin e tij ekonomik e social.
Intervista
“Pas takimit, na hoqën nga puna”
IntervistaNjë nga punonjësit e KPTHN-së së Ballshit, i cili ka marrë dje njoftimin e pushimit nga puna, Destan Elmazaj, me arsim profesional, i cili prej 27 vitesh punon në repartin e prodhimit të squfurit, ka sqaruar për gazetën situatën e krijuar aty. Ai sqaron se prej 22 vitesh është përgjegjës turni dhe se gjatë viteve të fundit kanë pasur gjithmonë vonesa të pagesave deri sa prej rreth dy vitesh u janë krijuar rroga të prapambetura. Destani pohon se një përfaqësi e punonjësve ka kërkuar me ngulm likuidimin e pagave të prapambetura, ashtu si ishte premtuar dy muaj më parë, dhe për këtë arsye kanë lindur edhe konfliktet me drejtuesit e ARMO-s.
Pse e keni nisur këtë grevë bojkotuese?
Kishim katër paga të prapambetura dhe i kërkuam të na paguheshin ashtu si na ishte premtuar. Por sot (dje) në mëngjes të paktën 25 punonjës nuk jemi lejuar të hyjmë në vendet tona të punës. Mësuam se pikërisht ne që nuk u lejuam të shkonim në punë na ishin paguar tre nga katër pagat e prapambetura.
Cilët ju kanë ndaluar të punoni?
Kanë qenë punonjësit e sigurisë që na kanë ndaluar, duke na seleksionuar me anë të një liste që mbanin, kur qëndronin te porta hyrëse e uzinës.
Si keni vepruar?
Ne kërkuam që të lejohemi të hyjmë në punë dhe jemi mbështetur nga më shumë se 700 kolegët tanë, me të cilët kemi firmosur një peticion drejtuar organeve më të larta të shtetit shqiptar. / Gazeta Shqip
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.