Adnan Januzaj pranë Shqipërisë, babai i këshillon fanellën kuqezi

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll në muajt e ardhshëm mund të përforcohet me një superlojtar. Pjesë e Kombëtares mund të bëhet talenti i Mançester Junajtid, Adnan Januzaj. 18-vjeçari tashmë është pjesë e ekipit të parë të Junajtid, ndërsa në nivel të përfaqësueseve mund të zgjedhë që të luajë për Shqipërinë. Mesfushori është me prejardhje nga Kosova, por ka lindur dhe është rritur në Belgjikë. Përkundër ftesave të vazhdueshme, ai nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese të Belgjikës.

Kjo ka bërë që mediat në Belgjikë të shkruajnë për mundësinë që Januzaj të mos luajë kurrë për këtë vend. “Januzaj injoron Belgjikën dhe zgjedh Shqipërinë”, ishte titulli i një shkrimi të publikuar ditë më parë në sajtin “voetbalnieuës.be”. “Sipas raportimeve, Januzaj është në presion të babait për të zgjedhur Shqipërinë. Kjo mund të jetë e vërtetë, pasi Januzaj ka refuzuar deri më tani ftesat për të luajtur me grupmoshat e reja të Belgjikës”, ka shkruar ky sajt. Aktualisht ai po vlerësohet futbollisti më i talentuar te kampioni i Anglisë. Mançesterit iu bashkua dy vite më parë nga klubi belg, Anderleht. Deri në fund të edicionit të kaluar luajti për rezervat e Junajtid, por në pranverë i ra në sy trajnerit legjendar, Aleks Ferguson. Ferguson e grumbulloi Januzajn për ndeshjen e tij të fundit në krye të Junajtid. Futbollisti kosovar, që luan në mesfushë e sulm, gjatë verës ka shkëlqyer në fazën përgatitore të Mançesterit dhe gjiganti anglez tashmë po planifikon t’i ofrojë kontratë të re. Kështu ka raportuar të mërkurën pasdite gazeta angleze “The Guardian”. Januzaj fundjavën e kaluar u paraqit si zëvendësues në ndeshjen e Superkupës së Anglisë. “United nuk dëshiron të rrezikojë të humbasë Januzajn, siç ka ndodhur me Pol Pogban, që po ashtu ishte vlerësuar lart nga stafi i Junajtid, por i ishte ofruar një pagë e vogël dhe më pas ai u largua për te Juventusi. Me Januzajn janë zhvilluar bisedimet për një kontratë të re dhe marrëveshja nuk është larg”.

Në të vërtetë, Januzaj do të ishte përforcim shumë i madh për Kombëtaren e Shqipërisë, por edhe për Belgjikën, që mburret me një gjeneratë të re të futbollistëve që ka nxjerrë. Trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka thënë të hënën se nuk është momenti që Shqipëria t’i bëjë ofertë Januzajt. “Është vërtet një talent futbolli. Nëse do të punojë me mentalitetin e duhur, ai do të bëhet një superlojtar në të ardhmen, sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm. Unë nuk mendoj se është koha t’i afrohemi tani këtij lojtari, sepse më parë duhet të dimë dhe duhet të kemi se çfarë t’i ofrojmë atij. Nuk mund të prezantohemi para tij dhe thjesht t’i shprehim dëshirën për ta pasur në ekip, por duhet edhe të dimë se çfarë t’i ofrojmë dhe unë nuk mendoj se tani është momenti”, ka thënë De Biazi.

Ndërkohë, kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, ka thënë se vetëm Shqipëria do t’i ofronte kënaqësi shpirtërore talentit të Junajtid. “Ai luan për Mançesterin dhe i ka të gjitha shanset për të pasur një karrierë brilante. Kombëtarja do t’i nevojitej vetëm për të ndier një kënaqësi shpirtërore dhe unë i them se atë ndjesi, atë krenari, nuk mund ta ndiejë me asnjë kombëtare tjetër, veçse të vendit të tij. Ne e presim me shumë dëshirë, nëse do të pranojë të luajë me ne”, ka thënë Cana./panorama/

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT