Kosova do të mbulohet me flamuj për Isa Boletinin
TEMAT KRYESORE
- Ministri i FSK-së bëri me dije se për sigurinë e ceremonisë do të përkujdeset policia e Kosovës dhe KFOR-i
Pas vendimit për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini në Kosovë, ministri i FSK-së, Haki Demolli deklaroi se më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtarë dhe ata shtetërorë.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli, gjatë mbledhjes së sotme të ekzekutivit shpjegoi me detaje se si do të bëhet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini në Boletin të Zveçanit, duke thënë se pjesa kryesore e saj do të bëhet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Sipas Demollit, më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë. Ministri i FSK-së bëri me dije se për sigurinë e ceremonisë do të përkujdeset policia e Kosovës dhe KFOR-i.
Vendimi fillestar i dy qeverive shqiptare ishte risjellja e eshtrave të heroit në Shqipëri, përkatësisht në Vlorë, ku ai do të prehej pranë Ismail Qemalit. Por ky vendim solli tepër pakënaqësi në Mitrovicë dhe jo vetëm. Familjarët e heroit gjithashtu u tërhoqën nga vendimi.