Kush e mbështet njeriun e MAVI-t në Himarë? (FOTO)
Kandidati për bashkinë e Himarës Fredi Beleri që vjen nga PBDNJ-OMONIA, ka mbajtur disa tubime elektorale në Greqi. Gjithnjë në këto takime me votuesit shqiptarë, në rreshtin e parë kanë qenë ulur përfaqësuesit e partive dhe organizatave ekstremiste greke që promovojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë si: Maqis Voridhis, kryetari i partisë Fronti Grek, i cili sot është deputet i partisë Demokracia e Re, gjeneral–lejtnant Stefanos Gjikas, deputet i DR, ministri i shtetit Terenz Kuik që i përket partisë së djathtë ekstremiste të Pano Kamenos, ish deputetin e LAOS, Athanasios Plevris, Harallambos Karathanos, kryetar i shoqatës së Vorio Epirit, Eleni Dhimu, kryetare e Rinisë së Vorio Epirit, etj. Strukturë mbështetëse Fredi Beleri ka siguruar edhe nga Konsullata greke në Gjirokastër, të cilët disa herë e kanë takuar në Himarë. Pra, e gjithë makineria mbështetëse e Fredi Belerit nuk janë himarjotët, por grupet ekstremiste të politikës greke të cilët janë nxitësit e marrëdhënieve të ftohta midis dy vendeve. Çfarë pune kanë deputetët dhe politikanët e Greqisë që fusin hundët në punët e brendshme të Shqipërisë gjatë fushatës parazgjedhore? Kush është interesi i kapuçonëve shtetërorë të Athinës që mbështesin kaq fuqishëm Fredi Belerin, një ish-i dënuar për vepra të rënda kriminale?
Ekstremisti Harallambos-Babis Karathanos është njeriu që në vitin 1991 e përpunoi Fredi Belerin për t’u anëtarësuar në organizatat MAVI dhe SFEVA. Fredi Beleri dy vite u stërvit në Manastirin e Konicës nën kujdesin e Mitropolitit të njohur antishqiptar, Sebastianos. Fredi Beleri shkoi në Qipro disa muaj në vitin 1994, për t’u stërvitur në kampet ushtarake të sigurimit grek nën kujdesin e kryetarit të MAVI-t, Dhimitri Dhimalezi. Dhimalezi ka qenë agjent i zbulimit dhe kundërzbulimit grek, familja e tij prej 100 vitesh i ka shërbyer agjenturës greke nga gjyshi, babai edhe vetë ai. Për vdekjen e parakohshme të Dhimitër Dhimalezit u fol se e eliminuan për të mbyllur qarkun e grupit terrorist MAVI në vitin 1999, pasi u zbuluan nga CIA dhe agjentura e Shqipërisë.
Si figurë, Fredi Beleri njihet më shumë për masakrën e Peshkëpisë në Prill 1994 dhe për përdhosjen e simboleve shqiptare në Tetor 2003. Që në Shtator 2014 Vangjel Dule promovoi kandidaturën e Fredi Belerit për bashkinë e Himarës duke kandiduar një person me precedentë kriminalë, i dënuar dy herë me burg nga 3 vjet. Kandidimi që zgjodhi Vangjel Dule për Himarën nuk është i rastësishëm sepse ai u propozua nga qendrat e zbulimit dhe kundërzbulimit grek.
Mbështetje të fortë Fredi Beleri ka siguruar nga kryetari i partisë greke të djathtë Demorkaia e Re, Andoni Samaras i cili ka njohje të vjetra me Belerin që kur ka qenë anëtar i MAVI-t. Andoni Samaras bashkë me një deputete të Demokracisë së Re, ishin njerëzit kryesorë që bënë të mundur që anëtarët e grupit terrorist MAVI të mos dënohesh për masakrën e Peshkëpisë, por për kontrabandë armësh. Ish-shefi i shtabit të ushtrisë greke, Frangos Frangulis, i ka siguruar Fredi Belerit njerëzit paraushtarakë që ditën e zgjedhjeve do vijnë në bashkinë e Himarës për të shantazhuar votuesit. Gjeneral Frangulis është parë disa herë në këtë zonë duke bërë piketimet strategjike për të krijuar incidente të rënda deri me armë. Gjatë këtyre ditëve në Himarë dhe rreth fshatrave janë parë paraushtarakët e Agimit të Artë të udhëhequr nga Robert Hajdis (Hajdhi) nga Lukova. Janë identifikuar edhe njerëz të tjerë që janë të pajisur me armë për të provokuar ditën e zgjedhjeve deri në derdhje gjaku. Tek e fundit Fredi Belerin me Shqipërinë e lidh vetëm e shkuara para viteve 1990. Beleri flet një shqipe të çalë dhe nuk di të shkruajë dhe të lexojë rrjedhshëm. Kujt po i shërben kandidatura kriminale e Fredi Belerit? E çfarë mund t’i ofrojë shtetasi grek me një copë diplomë të shkollës së mesme, qytetarëve të Himarës?
Bëmat e një antishqiptari
Sigurimi grek ka dokumenta që Beleri ka marrë pjesë në masakrën e Peshkëpisë
Gjatë kohës që ishte në burgun Koridhalos rreth 18 muaj, Fredi Beleri ka pranuar se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Peshkëpisë. Gjatë kohës së burgut në dhomën ku ka qenë Beleri, kanë qenë të infiltruar agjentë grekë dhe të një vendi perëndimor të cilët siguruan dëshmi se kush qëlloi mbi ushtarët shqiptarë.
Aktivitetet e Fredi Belerit pas burgut
Në 28 Shtator 2003, Rinia e Partisë Fronti Grek që e drejtonte deputeti i sotëm Maqi Voridhis, organizoi një “nderim me mirënjohje” për Himarën me motivacionin për mbajtjen gjallë të çështjes kombëtare greke; në këtë aktivitet ishte i ftuar nderi Fredi Beleri.
Më 5.11.2007, ora 18.00, e Hënë, u mblodhën para ambasadës së Shqipërisë në Athinë përfaqësues të shoqatës “Bashkimi Himariot”, të udhëhequr nga Fredi Beleri, Angjelo Kokaveshi dhe nga deputeti i Kuvendit grek të partisë LAOS, Athanasios Plevris, (deri 15 Janar 2015, Athanasios Plevris ishte deputet i partisë Demokracia e Re e Samaras. Athanasios është djali i ekstremistit të njohur fashist Kostandin Plevris. E gjithë karriera politike e Athanasios i takon babait të tij i cili ka lidhje të ngushta që në rininë e tij me grupet fashiste greke, të Agimit të Artë, Frontit Grek etj). Ata protestuan për ligjin 7501 të 1991, në lidhje me privatizimin e tokave.
Më 18 Janar 2009, Fredi Beleri mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Revista PATRIA, e cila nderoi me mirënjohje disa figura ekstremiste greke si: deputetin e LAOS, Makis Voridhis, deputetin LAOS, Athanasios Plevris dhe Fredi Belerin, kryetarin e Bashkimit të Himariotasve.
Fredi Beleri më 19 Janar 2009, në Athinë mori pjesë në festën e shoqatës Rinia e Vorio Epirit, në këtë shoqata ai ka qenë i anëtarësuar që më 1992.
Në 8 Shkurt 2009, Fredi Beleri mori pjesë në aktivitetin që organizoi partia ekstremiste greke LAOS e Karaxhaferit, me rastin e 50 vjetorit të Autonomisë së Vorio Epirit, ku mbajti edhe një fjalim provokativ ndaj Shqipërisë.
Në Korrik 2011, Fredi Beleri dhe shumë drejtues të organizatave ekstremiste greke u takuan në Janinë 5 ditë në Seminarit e Epiriotasve të Botës. Atje ishin shumë figura ekstremiste greke si greko-amerikani Nikolla Geixh, Babis Karathanos, etj.
Fredi Beleri para disa kohëve deklaroi për gazetën greke “I APOPSI”, se “Koço Kokëdhima dëshiron të na përzërë nga Himara”. Kjo është një akuzë e rëndë për deputetin shqiptar të zonës.
Fredi Beleri, me ish shefin e Shtabit të ushtrisë greke, gjeneral-lejtnant Frangos Frangulis dhe disa drejtues të organizatave ekstremiste greke, 17 Maj 2015, Athinë
Tubimi i Fredi Belerit, në rreshtin e parë deputetë dhe politikanë ekstremistë grekë, 14 qershor 2014