Mali i Zi pretendon mijëra hektarë tokë në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit që jetojnë pranë vijës kufitare të diskutuar me Malin e Zi.
Kujtojmë që mes Malit të Zi dhe Kosovës nuk është përcaktuar ende qartë vija kufitare. Janë 12 mijë hektarë tokë që pretendohen nga Mali i Zi, por që Prishtina zyrtare këmbëngul që i përkasin asaj.
“Ne i kemi bërë masat në sipërfaqe, por edhe nëpërmes koordinatave e lartësive dhe hapësirës dhe ka dal të jenë 12 mijë hektarë, në pjesën e Rugovës janë 7 mijë hektarë kurse në pjesën e Podgurit, Istogut e Rozhajës i kemi më shumë se 5 mijë hektarë”, ka thënë Ali Lajçi, vëzhgues në Komisionin e Kosovës për Përcaktimin e Vijës Kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
Në fund të konferencës, Veseli ka vlerësuar raportet fqinjësore mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ai tha se ky takim i shërben komunikimit dhe transparencës dhe qëllimi sipas tij është të merren vesh mes tyre.
“Qëllimi është të merremi vesh me një fqinj, me të cilin kemi raporte jashtëzakonisht pozitive, në mënyrën që mos të kemi kundërshtime. Ndaj dhe nuk besoj, që do të ketë të tilla”, tha Kadri Veseli.
Përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte pikë e rendit të ditës edhe në Kuvendin e Kosovës, ku ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ishte ftuar në interpelancë.