Parku Kombëtar i Divjakës vizitohet çdo ditë nga turistë të huaj
Parku Kombëtar Divjakë –Karavasta, përditë e më shumë vizitohet nga turistë të huaj që tashmë janë bërë kurioze për faunën dhe florën që rriten në këtë Park
.Natyra e bukur dhe plot befasi, është një intrigë më vete për vizitorin. Sapo futesh në pyllin me pisha të dendura, ndeshesh me specie të veçanta zogjsh e zvarranikësh. Por, ata që quhen edhe “Mbretërit” e lagunës së këtij Parku, janë pelikanët kaçurrele, një specie e rrallë në Ballkan dhe në botë. Ata kanë ishullin e tyre ku shumohen, ushqehen dhe çelin vezët, tani të mbrojtur nga rojet e këtij parku.
Këtu do të ndeshësh edhe Flamingot me shumicë, sidomos në mëngjes herët dhe para perëndimit të diellit. Një bukuri e veçantë është edhe natyra me pisha të buta dhe hartinjë (siç u thonë vendasit) pishave të larta që shërbejnë për pjalmëzimin e atyre të butave që lidhin boçe.
Godullat dhe strugat, nuk të tërheqin vetëm me peizazhin, por edhe me specie që ushqehen në ujërat e tyre, bajza, çafka, shapka, rosat e egra e plot specie të tjera, transmeton atsh . Tashmë Divjaka po zhvillon edhe turizmin e vëzhgimit.
Administrata e Zonave të Mbrojtura me qendër në Fier po bën një punë mjaft produktive për thithjen e turisteve të huaj dhe vendas. Ata kanë përgatitur tashmë një staf me specialistë që e njohin zonën, natyrën dhe faunën, gjë që u shërben për të udhëhequr vizitorët dhe ndihmojnë me informacione turistët e huaj.
Prania e punonjësve të kësaj administrate, bën që turistët jo vetëm të njihen me peizazhet e bukura, por edhe të njohin e të informohen për vlerat e rralla të zonave të mbrojtura.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/parku-kombetar-i-divjakes-vizitohet-cdo-dite-nga-turiste-te-huaj-105692/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright