Vlora nuk ia fal Berishës marrëveshjen e detit. Dulja minoritar grek, unë shqiptar himariot
Para se t’i jepte fjalën Edi Rames në asamblenë e Vlorës, Koço Kokëdhima ia përsëriti edhe njëherë këshillën për Metën. “Pa lsi ne nuk e bëjmë dot shumicën qeverisëse. Nga përcarja me LSI përfiton Saliu”, tha Kokëdhima.
Administratori i Jugut dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama, sulmoi edhe aleatin e larguar nga koalicioni Vangjel Dulen.
“Ne jemi këtu qysh më para se të vinte deti. Dulja minoritar grek, unë shqiptar himariot. Unë i qëndrova besnik minoritetit grek të Finiqit, Dulja e tradhëtoi. Sot është në vendin që meriton, në një stan me Saliun” tha Kokëdhima.
“Socialistë rrace” i quajti Kokëdhima mbështetësit e tij në Vlorë, ndërsa dërgoi përshëndetjet e tij për bujqit dhe blegtorët, i ndjekur nga duartrokitjet e zjarrta të shoqeve dhe shokëve në sallë.
“Nga kjo tribunë Partia Socialiste do të vijë në Kongresin e marsit me 22 mijë anëtarë më shumë, me një strukturë vendore të ngritur në katër nivele qendrore. Kështu ne përmbushim direktivën e kryetarit të Partisë Socialiste për të dyfishuar anëtarët. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë anëtarët e Partisë dhe u uroj të bëhen socialistë të devotshem. Këta socialistë të rinj e forcojnë partinë me shume…Dua të përshëndes bujqit dhe blegtorët, ish ushtarakët, gratë, peshkatarët nga rajoni Gjirokastër- Vlorë që janë punësuar gjatë kësaj kohë. Ata duhet të jenë të lumtur per hapin e drejtë që ata bënë duke zgjedhur Partinë Socialiste. Këtu dua të përmend edhe ata socialistë që dhanë jetën dhe që na lanë trashëgim Partinë Socialiste”