Pas deklartes se Rames kundra Rusise, Basha e pranon se ka patur nje takim
Vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se shtete që nuk i duan të mirën Shqipërisë po influencojnë në protestën e PD-së, kreu i kësaj partie, Lulzim Basha është takuar me ambasadorin e Rusisë, shtet që ka nisur një fushatë agresive në Ballkan kundër Tiranës.
Takimi i Bashës me ambasadorin Aleksandër Karpushin është zhvilluar në ambientet e PD dhe nga selia blu njoftojnë se ka qenë ambasadori ai që është interesuar për zhvillimet politike në vend.
Karpushin ka theksuar se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë, të cilit i qëndron edhe Ambasada Ruse në Tiranë, është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.
Basha i ka bërë dy kërkesa të rëndësishme ambasadorit rus kur theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni përmes aplikimit të dygjuhësisë nga Federata Ruse do të rihapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale.
Ambasadori Karpushin theksoi se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Karpushin shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypaleshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare.
Basha dhe ambasadori Karpushin vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe vlerësuan se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok.