A duhet folur troç me Greqinë?
Nga Artan Xh. Duka Poterja greke në Himarë nuk është as e para dhe as e vetmja. U bënë vite që janë mësuar me heshtjen tonë zyrtare, përjashto qeverinë Rama deri më tani. Politika greke di fare mirë që nuk ka punë në Himarën me gen lab e verior. E di që Vorioepiri është donkishotizëm. E di që minoriteti grek është etalon i diskriminimit pozitiv në botë. E di që nuk e merr dot detin si trojet dikur. I di të gjitha por sërisht provokon dhe përmënd veton ndaj integrimit europian.
A është heshtja flori?
Sërisht Himara po tentohet të bëhet lajm me zor. Laj, thaj, për afro 30 vjet, politika greke hidhet përpjetë për të njësoj sikur të bëhet fjalë për Athinën! Ndaj dhe normalisht lind pyetja nëse a mundet të justifikohet heshtja jonë me merakun se Greqia mund të na prishë punë me integrimin në BE, mund të bëjë “fshesë” mes emigrantëve, të ulë traun e doganës, të mos begenisë takim kryeministrash etj?
Po mos vallë e kundërta, thënia troç e zyrtarisht e gjërave, jo vetëm nuk do të na prishte punë aspak por përkundrazi do të mundësonte partneritetin e duhur me Greqinë dhe dinjitet në gadishullin Ilirik?
Heshtja nuk na ka çuar kund dhe kjo sepse Greqia e Serbia kanë një problem të madh. Janë zgjeruar në kurriz të kombit shqiptar dhe kanë bërë genocid ndaj tij. Dhe sa kohë nuk bëjnë “ekzorcizëm” historik, duke filluar me një ndjesë shtetërore, janë të dënuar të vuajnë “karmën” negative të 1913.
Dhe nuk bëhet fjalë për reciprocitet sepse ai nuk ka vlerë mes dy palëve kur njëra vijon kursin e të parëve agresor. Në mungesë të vullnetit për reflektim, ata nuk kanë opsion tjetër veç të mbrojnë “plaçkën” e vjedhur të 1913. Himara apo “shashkat” e tjera (vorioepiri, garazhet e “minoritarëve” etj) janë thjesht tymnaja për të mbajtur kutinë e Pandorës të mbyllur fort. Janë kauza “fiction” që spostojnë vëmëndjen nga kauza reale si çështja çame, të drejtat e mohuara të arvanitasve dhe emigrantëve, tokat që kanë zot deri në gjirin e Artës etj.
A është serioze Greqia me veton e saj?
Në këtë kontekst, veto greke është jetik për nacionalizmin e populizmin atje. Dhe në pamundësi për t’a përmëndur hallin e madh që u la 1913 në derë (po zaptove trojet e tjetrit, domosdo do pranosh edhe minoritetin atje) si argument për veton kanë 30 vjet që kërkojnë sebepe pafund.
Imagjinoni efektin që do të ketë në rajon një Shqipëri në BE. Politikat absurde greke do të marrin fund. Të parët çamët, nuk do t’i pengojë më kush të shkojnë e gëzojnë pasurinë në Greqi. Faktori shqiptar do të konsolidohet pakthim dhe zëri arvanitas do dëgjohet fort, shqiptarët e Greqisë do të flasin në Parlamentin Europian dhe paradokse historike si ligji luftës, mohimi i minoritetit arvanitas, mohimi i genocidit çam, presioni asimilues ndaj emigrantëve etj do të pataksin këdo në Bruksel.
Ndaj Greqisë i intereson alibia Himarë sepse jo vetëm devijon vëmëndjen dhe debatin publik nga halli i madh post 1913 por dhe se mund ta paraqesë si “argument” para opinionit për veton ndaj integrimit në BE.
Çështja shtrohet çfarë humbasim apo fitojmë ne nga heshtja apo thënia troç e gjërave me Greqinë? Ndërkohë që heshtja nuk ka qënë flori, gjërat troç nuk ka përse të jetë më tabu. Hapja e “letrave” dhe sfida për debat publik e zyrtar për çështjet e nxehta që refuzohen të njihen nga Greqia nuk na dëmtojnë aq sa na ka dëmtuar heshtja. Çlirimi ynë, për ironi edhe vetë çlirimi i Greqisë prej makthit të së shkuarës, kalon përmes ballafaqimit real. Njësoj sikurse nxit sot Rama Serbinë të njohë Kosovën si shans edhe për atë vetë.
Boll me iluzionin se heshtja do na hapë rrugën drejt BE. Përkundrazi. Ballafaqimi dinjitoz e përmbushja e detyrimit historik ndaj faktorit shqiptar në gadishull, janë e vetmja qasje e Tiranës zyrtare që duke sfiduar abuzimin grek me veton, djeg alibitë e përditshme të saj duke ekspozuar arsyen e vërtetë përse qëndrimi grek mbetet po ai i dy shekujve më parë.
“Topi” duhet hedhur në Greqi
Me popullin grek, sesa miq e vëllezër, jemi binjak sepse faktori dominues atje është ai arbëresh. Por harmonia afatgjatë në gadishullin Ilirik do bazohet jo tek trillimet historike por vlerat e përbashkëta shekullore. Dhe nuk bëhet fjalë për reciprocitet por për për drejtësi.
Ekspozimi i dosjes shqiptare në gadishullin Ilirik do të testonte seriozisht edhe koshiencën dhe vullnetin demokratik të BE dhe Greqisë si pjesë e saj dhe sebepe si ligji për minoritetet, Himara, varrezat etj nuk do të pinin më ujë sepse dhe “ufo”-t do e kuptojnë se lepuri fle gjetkë.
Si me veto apo pa veto greke, kauza shqiptare do të shkojë në vënd. Me veton, politika greke vetëm sa do e shtyjë dhe ca sepse në finale gjeopolitika perëndimore e tejkalon atë greke në rajon. Ama çmimi do jetë diskretitimi i vëndit që mburret me demokracinë e lashtë. Përfundimisht, “topi” do të shkonte në Greqi dhe Himara, vorioepiri, varrezat etj, do të rreshtnin së bezdisuri më këdo në Shqipëri e Perëndim.
Hapja e letrave do të rriste më tej dinjitetin e shtetit shqiptar në botë sepse do të hidhte dritë mbi rolin unik të Shqipërisë në stabilitetin rajon paçka se mbetet më e prekura në rajon që prej vitit 1913.
Nga ballafaqimi korrekt nuk humbet as emigracioni shqiptar në Greqi. Përveçse të stabilizuar në masë, ata janë më së pari jetik për mirëqënien e vetë shtetit grek dhe “fshesat” do të ishin bumerang për të.
Kauza shqiptare në Greqi ka nevojë për publicitet. Sikurse shpurat zyrtare greke zbarkojnë vënd e pa vënd në Shqipëri me alibi pafund, deputetët tanë, qeveritarët, media shqiptare etj, duhet të dalin matanë kufirit dhe të verifikojnë e denoncojnë në terren dramën shqiptare atje. I kanë mjetet, imunitetin, kauzën dhe askush nuk mund t’i ndalojë në epokën e komunikimit palimit përveçse me çmimin e skandalit që merr dhenë.
Askush nuk mund ta akuzojë Shqipërinë për nacionalizëm përsa kohë përballë janë çështjet e nxehta të ligjit të luftës, genocidit çam etj. Dera e BE nuk u mbyll as për Serbinë e luftrave ndërkohë që shqiptarët nuk i kanë borxh askujt.
Gjithkush në perëndim po ngre shqetësimin se Rusia trazon ujrat në gadishullin Ilirik. Askush nuk do të besojë se përmes vetos greke, është aleanca historike bizantino-ortodokse ajo që po kërkon të marrë peng aspiratën e rajonit për integrim në BE dhe të shtetit shqiptar që mbetet më pro-amerikani në botë. E nëse kështu, qeveria shqiptare nuk është vetëm sepse integrimi në BE i Shqipërisë është edhe sfidë perëndimore ndaj obskurantizmit bizantin e lindor. E vetmja mënyrë për t’a mësuar është të thuhen gjërat troç. Si kusht për fqinjësi të mirë.