Kosova alarmon SHBA: Na futët thikën pas shpine.
43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të shfuqizimin e Gjykatës Speciale, gjë që ka alarmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së, në veçanti Britaninë e Madhe.Mbrëmjen e sotme është mbledhur edhe Kryesia e Kuvendit, si dhe shefat e grupeve parlamentare. Por, për shkak të mungesës së disa subjekteve nuk është bërë i mundur kuorumi e rrjedhimisht as nuk është marrë ndonjë vendim.Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka reaguar teksa ka qenë i pranishëm në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim të kësaj nisme apo përpjekjeje për të zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale.“Dua ta bëj shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë çdo përpjekje për ta zhbërë ose ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale”, ka thënë ai, i befasuar nga kjo nismë pa asnjë debat publik më parë.“Kjo është e turpshme, – ka shtuar ai. – Nëse kjo nismë do të ketë sukses, atëherë do të ketë edhe implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës, si pjesë e Europës. Do të konsiderohet nga SHBA si thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit. E urrej ta them, por do të kthehet ora prapa për Kosovën”.Edhe ambasadori britanik në Kosovë ka folur për këtë nismë të udhëheqësve kosovarë për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale.Nga Kuvendi i Kosovës, Ruairi O’Connell tha se kjo mund të ishte nata më e rrezikshme për Kosovën, që prej luftës. Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë dhe se, nëse ndalimi i Speciales ndodh, askush në botë nuk do të besojë që Kosova është e interesuar për sundim të ligjit. Diplomati britanik u ka bërë thirrje deputetëve që të mendojnë logjikisht dhe të mos votojnë kundër Speciales.