Leku i ri, leku i vjetër! Si lindi ndryshimi që ngatërron shqiptarët edhe sot
“Ngatërresa” e shqiptarëve me shprehjen e vlerës reale të parave duket se daton edhe më herët se në vitet 1964-’65, kohë kur u zëvendësua leku i vjetër me lekun e ri. Përcaktimi i një kursi të ri për monedhën shqiptare ka qenë një praktikë e ndjekur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ne Shqipëri.Në këtë periudhë, me argumentin e luftës kundër inflacionit, u ndërmorën operacione monetare që pakësuan me më shumë se 5 herë sasinë e kartëmonedhave në qarkullim. Brenda 3 vitesh, të paktën 3 herë shqiptarët janë përballur me ndryshimin e kursit të parasë, duke u marrë paratë që zotëronin e duke u dhënë para të tjera, me kurs të ri.Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi kanë analizuar në studimet e tyre me imtësi operacionet monetare të ndërmarra në vitet e para të pas çlirimit në Shqipëri. Pas çlirimit në Shqipëri ishin 379 milion e 808 mijë e 895 franga shqiptare në qarkullim në formën e bankënotave. Regjimi dyshonte se një shumë e madhe kartëmonedhash ishin nxjerrë jashtë vendit e që mund të përdoreshin për qëllime të ndryshme, mes të cilave edhe për të financuar rrëzimin e pushtetit.Operacioni i parë, vulosja e paraveNë qershor të vitit 1945 do të dilte urdhëresa e posaçme mbi vulosjen e bankënotave dhe çek-monedhave të ish Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në bazë të kësaj urdhërese vuloseshin bankënotat prej 20 e 100 franga shqiptare si dhe çek-monedhat e emetuara nga Banka Kombëtare.Vula që u përdor kishte trajtë drejtkëndëshi e përmbante në brendësi të saj një shqiponjë me yll dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar”. Nga vulosja, përjashtoheshin vetëm bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.Vulosja e parave do të kryhej brenda një kohë të shkurtër, 10 ditë, nga data 29 qershor deri më 8 korrik 1945. Kjo ishte kohëzgjatja e vulosjes së monedhës për të gjithë vendin.Në bazë të urdhëresës, qendrat e këmbimit të monedhave u përfshinë në tri zona me afate të caktuara.Një zonë me vete përfshiu qendrat kryesore. Këtu bënin pjesë rrethet e qendrës së Durrësit, Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Tiranës e Vlorës. Për këto rrethe, këmbimi u parashikua të kryhej nga data 4 deri me 8 korrik 1946.Rrethet kufitare përbënin një zonë tjetër e cila përfshinte Bilishtin, Ersekën, Vithkuqin, Konispolin, Kukësin, Libohovën, Librazhdin, Lumën, Peshkopinë, Pogradecin, Thethin, Përmetin, Sarandën, Pukën, Zerqanin dhe Delvinën.Një zonë e tretë përfshiu rrethet Ballsh, Burrel, Fier, Gramsh, Himarë, Kavajë, Kotë, Krujë, Lezhë, Lushnje, Peqin, Shijak, Mirditë, Tepelenë dhe Këlcyrë.Këmbimi i monedhave për këto rrethe u parashikua të kryhej nga data 4 deri 8 korrik.Ndarja e mësipërme u jepte përparësi zonave kufitare për këmbimin e monedhave të vulosura. Për këto zona u parashikua që këmbimi të fillonte më përpara e të kryhej në një afat më të shkurtër.“Kjo kishte si synim që t’i priste rrugën hyrjes kontrabandë të bankënotave nga jashtë. Në të njëjtën kohë ndarja në zona dhe krijimi i shumë qendrave për këmbimin e bankënotave pati për qëllim që veprimi të kryhej sa më shpejt e pa pengesa të karakterit teknik e organizativ” shkruhet në studimin ekonomik të Fishtës dhe Toçit.E në fakt, praktika e vulosjes nuk ishte ajo e vendosjes së parave para një vule por shkëmbimi i tyre me para të vulosura që kishin një kurs të ri. Vulosja e monedhave u bë në shtypshkronjën e Bankës së Shtetit dhe në 14 shtypshkronja të tjera të vendit që u mobilizuan për këtë çështje.Më mbarimin e afatit të parashikuar, bankënotat dhe çek-monedhat që nuk do të paraqiteshin për vulosje konsideroheshin pa vlerë dhe për pasojë do të dilnin jashtë qarkullimit monetar.Jashtë vulosjes mbeti më shumë prej 20 % të monedhës në qarkullim, e këtu bëhej fjalë edhe për bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.Tentativat për shmangieE në fakt, kjo do të krijonte hapësira për fshehje. Në këtë periudhë nuk mungojnë përpjekjet për të shmangur deklarimin e sasisë së parave që zotëronin njerëzit e si rrjedhojë u ndoq praktika e shpërndarjes së parave ndër familjarë e të njohur.Po ashtu, u konstatua fenomeni i blerjeve si një mënyrë për të konvertuar paratë në mall, madje në shumë raste duke e paguar mallin më shtrenjtë (e në këtë rast, kostoja do të ishte sërish më e ulët se masa e tatimit që do të ushtrohej mbi ta).Një praktikë tjetër ishte edhe ajo e “thyerjes” së parave; këmbimit me bankënota me prerje të vogël që nuk i nënshtroheshin këmbimit.Bilanci i kësaj mase tregon se nuk u paraqitën për vulosje 101 milion e 54 mijë e 754 franga shqiptare, të cilat si pasojë e mosvulosjes dolën jashtë qarkullimit monetar. Kjo shumë ishte e barabartë me 1/4 e bankënotave e çek-monedhave në qarkullim.Nga 384 milion e 396 mijë franga që ishin në dhjetor të 1944 në qarkullim, si pasojë e efektit që pati vulosja, sasia e monedhës në qarkullim zbriti në 286 milion e 100 mijë franga shqiptare.Në qendat e këmbimit u paraqitën 73 mijë e 87 persona! 15 mijë e 818 persona ishin nga ajo që konsiderohej si klasa e pasur, 9950 ishin punëtorë, 5 mijë e 26 prej tyre ishin zejtarë dhe 26 mijë e 574 ishin fshatarë.Veç efekteve që do të kishte kjo masë në goditjen e tregtarëve e atyre që konsideroheshin si armiq të regjimit të ri, pakësimi i sasisë së monedhës në qarkullim përmes sistemit të këmbimit me para të vulosura e me kurs të ri, sipas studiuesve, solli si ndikim të drejtëpërdrejtë zbutjen e inflacionit dhe stabilizoi pjesërisht gjendjen në tregun e vendit. Po kjo masë e parë, do të ishte vetëm një masë parapërgatitore për operacionin e dytë, që do të ishte edhe më i rreptë.
