Ultimatumi i Ligjvënësit amerikan, Engel: Serbia të respektojë viktimat e së kaluarës
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, reagoi ndaj njoftimeve se Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka hapur një zyrë të saj në vendin ku gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një kamp përqendrimi.
Veprimtarë të të drejtave të njeriut në Serbi thanë se zona e njohur si “Staro Sajmishte” në Beograd, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte kamp përqendrimi ku ishin vrarë hebrenj, serb dhe romë.“Vendimi i partisë politike të presidentit Vuçiç, për të hapur një zyrë në zonën ku ishte një kamp përqendrimi, është i turpshëm, por i përshtatet një modeli shqetësues të mënyrës se si qeveria e tij e sheh drejtësinë për krimet e së kaluarës. Zona do të duhej të shndërrohej në një vend përkujtimor shumë kohë më parë, por është lënë pas dore. Viktimat e asaj periudhe të errët meritojnë që rrëfimet e tyre të tregohen dhe vuajtjet e tyre të kuptohen”.Besohet se 10 mijë serb, 7 mijë hebrenj dhe të paktën 60 romë kanë vdekur ne atë kamp gjatë viteve 1941 dhe 1942. Kampi drejtohej nga nazistët gjermanë, por arrestimet e hebrenjve ishin kryer nga policia serbe.