Mediat e Kosovës: Rama u zemërua me Haradinajn sepse zgjodhi Metën si negociator për kufirin
“…Demarkacioni është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që nuk ka asnjë bazë reale dhe që është një padrejtësi ndaj njerëzve të këtij vendi. Por unë kam ndeshur një mur të shurdhër sa herë kam folur për këtë dhe sa herë kam përcjellë këtu atë që kam dëgjuar në takimet me homologë në nivelet më të larta të marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Kjo ishte deklarata e bërë dje në Prishtinë nga kryeministri Edi Rama dhe një prej deklaratave më të ashpra që një drejtues i qeverisë shqiptare ka bërë ndaj homologëve kosovarë.
Gazeta kosovare, “Epoka e Re” raporton sot për rolin e negociatorit që presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka luajtur në zgjidhjen e ngërçit të krijuar për kufirin midis Kosovës dhe Malit të Zi, rol që Haradinaj nuk ia pranoi kurrë Ramës, pavarësisht përpjekjeve të këtij të fundit.
Sipas “Epoka e Re”, presidenti Meta ka zhvilluar më 9 shkurt një takim informal në vilën qeveritare në Podgoricë, “Villa Gorica”, me kryeministrin Dushko Markoviç.
“Të premten e shkuar, datë 9 shkurt, presidenti Meta ka qenë në një dreke informale në Podgoricë në ‘Villa Gorica’ me kryeministrin e Malit të Zi dhe ka negociuar formulën përfundimtare për demarkacionin para vizitës së kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë. Në dijeni të këtyre negociatave sekrete ka qenë zëvendëskryeministri Limaj dhe kryeministri Haradinaj”, kanë thënë për gazetën burime të mirinformuara.
Mali i Zi pranoi dje rishikimin e marrëveshjes së demarkacionit, duke u tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm se për të kjo çështje ishte mbyllur dhe i takonte Prishtinës të zgjidhte ngërçin e brendshëm. Në darkë, Rama sulmoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Haradinajn./ZgjohuShqiptar.info