Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Prishtinë/ Sekretariat Teknik e Seli Qendrore në Tiranë
Pas takimit në Tiranë, sot mblidhet në Prishtinë Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare, ku u vendos ngritja e Sekretariatit Tenik si dhe e Selisë Qendrore në kryeqytetin tonë.
“Jam shumë i lumtur që Tirana do të jetë selia e Sekretariatit të Unionit. Kemi vendosur ta fuqizojmë këtë Sekretariat edhe me financa, duke caktuar në Tiranë një drejtues ekzekutiv dhe përfaqësues të të gjitha njësive tona.’’, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai theksoi se Unioni, ku marrin pjesë bashki dhe komuna shqiptare të rajonit, është një urë bashkëpunimi, për të shkëmbyer eksperienca konkrete mes qyteteve.
Veliaj, në këtë mbledhje, u shpreh se Unioni i Bashkive Shqiptare do të ketë të gjithë mbështetjen e domosdoshme për të përshkuar më tej projekte konkrete të përbashkëta.Të njëjtin mendim ndau dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
‘’ E themi sërish: Ne po bëjmë shkëmbim të përvojave të komunave shqipfolëse. Së pari, nuk kemi nevojë për përkthyes, e së dyti, është koha e bashkëpunimit. Është absurde të bashkëpunojmë me komuna të tjera para se të bashkëpunojmë edhe me njëri-tjetrin”.
Unioni i Bashkive Shqiptare ka për qëllim të krijojë klimën dhe mekanizmat e duhura të bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare në rajon, ndërkohë që u krijon mundësi bashkive të rrisin shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit.
Mbledhja e radhës e këtij Unioni do të jetë në Tetovë, në muajin tetor./ZgjohuShqiptar.info