Incidentet në Maqedoni/ Ministria e Jashtme: Të dënohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve
Pas votimit të gjuhës shqipe në kuvendin e Maqedonisë me 64 vota pro, janë shënuar dhe një sërë incidentesh kundër shqiptarëve. Ditën e djeshme Gruevski u përplas fizikisht me Talat Xhaferin, pati protesta jashtë kuvendit por edhe ditën e sotme u dhunua institucioni i kulturës shqiptare në Shkup. Kjo ka sjellë reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila dënon këtë akt, dhe më tej kërkon nga autoritetet maqedonase të vën para përgjegjsisë personat e përfshirë në dhunimin e institucionit.
Reagimi i plotë i MEPJ:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe dënon gjuhën e urrejtjes e sloganet ksenofobe kundër shqiptarëve në muret rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Kjo është hera e disatë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtëpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj.
Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, si dhe veprimet obstruksioniste e retorika e dëmshme e ditëve të fundit nga segmente të politkës së vjetër pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkon autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin./ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!