Kosova refuzon të shkojë në Serbi pa himn dhe flamur
Tashmë vjen përplasja direkte edhe në sport mes Serbisë dhe Kosovës dhe situata është komplikuar dukshëm. Kjo lidhet me turneun e grupit të pestë të eliminatoreve evropiane për Botërorin e hendbollit për lojtaret deri 20 vjeçe që mbahet këtë vit. Në këtë grup bëjnë pjesë Kosova, Serbia, Norvegjia e Sllovakia.
Sipas shortit, turneu i këtij grupi është caktuar të mbahet në Serbi, ndërsa së fundi Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka njoftuar se ndeshjet duhet të luhen në Kragujevc. Por është një kushtëzim i EHF-së që ka komplikuar situatën.
Për shkak të ndjeshmërisë së grupit, të përballjes së Kosovës me Serbinë, EHF-ja ka vendosur që të gjitha ndeshjet të luhen pa simbole nacionale, pra pa himn e flamur të vendeve pjesëmarrëse.
Një kushtëzim i tillë nuk është pranuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës dhe është kundërshtuar edhe nga Federata e Hendbollit e Sllovakisë. Turneu duhet të mbahet pas tri javëve, prej 23 deri më 25 mars, por Kosova do të marrë pjesë vetëm nëse i lejohet paraqitja me flamur e himn./ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!