Ndërhyrjet ruse në fushatën e Bashës/ Ambasada Ruse: Trillim absurd, fushatë e pistë e iniciuar nga mediat perëndimore
Pas artikullit të publikuar nga portali “Mother of Jones”, ku ngrihen akuza se PD-ja në Shqipëri është financuar nga kompani offshore, të lidhur me elementë rusë për lobimin e saj në SHBA, pak më herët reagoi vetë kjo forcë. Me anë të një deklarate për mediat, PD e ka cilësuar shkrimin si mjaft qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga falsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike. Po sipas demokratëve, shkrimi është produkt i një fushate të gjerë që ka ndërmarrë Edi Rama, të financuar nga burime të paligjshme që vijnë nga bota e krimit dhe e korrupsionit.
Në lidhje me këtë çështje, një reagim ka ardhur edhe nga vetë Ambasada Ruse, duke e quajtur materialin një trillim krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme.
Po kështu, në reagim nënvizohet se spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë.
“Kemi vënë re një artikull të publikuar më 6 mars, në uebsajtin e revistës amerikane “Mother Jones”, dhe të ribotuar nga disa gazeta shqiptare, për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet parlamentare të 2017-s në Shqipëri.
Materiali në fjalë përbën një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë. Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë.
Theksojmë se ndryshe nga disa vende perëndimore, Rusia i përmbahet fort parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Konfirmojmë edhe një herë gatishmërinë për komunikim dhe bashkëpunim të hapur me të gjitha forcat politike të Shqipërisë, në interes të përparimit të dialogut dypalësh.
Shpresojmë gjithashtu që mendimi i autorëve amerikanë nuk përkon me qëndrimin e redaksive të mediave shqiptare, të cilat e kanë ribotuar artikullin e lartpërmendur”./ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!