Shqiptarët “falin” bukuritë natyrore dhe arratisen, të huajt pushtojnë vendin
Edhe pse në dimër, Shqipëria është parë me sy pozitiv nga pushuesit dhe turistët e vendeve të tjera. Bukuritë alpine dhe Alpet Shqiptare janë një kurorë e bukur e turizmit shqiptar, të cilat kontribuojnë shumë për ekonominë dhe buxhetin e shtetit.Kujtojmë se ndërtimi i HEC-ve, do të ndikojë negativisht për një pjesë të madhe tek turistët, pasi aktiviteti i tyre do largojë bukurinë e dikurshme. Përmendim këtu lumin e Valbonës, i cili është një oaz i mirëfilltë në tërheqjen e turistëve, por pas ndërtimit të HEC-ve kjo nuk do të jetë si më parë.Pavarësisht protestave dhe thirrjeve për të ndaluar një aktivitet të tillë, situata e degradimit vijon me ritme të shpejta duke kthyer zonat e mbrojtura me vendim të Këshillit të Ministrave në një gërmadhë ndërtimi.Risjellim edhe njëherë në vëmendje se shqiptarët janë “targetuar” si një popullsi, e cila është shpërngulur masivisht nga vendi në një kërkim të një jetë më të mirë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Pavarësisht thirrjeve të organeve ndërkombëtare, shqiptarët vijojnë të dynden masivisht drejt kontinentit të vjetër. Sipas statistikave të INSTAT, në dy muajt e parë të vitit kanë hyrë 423 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


