Guvernatori i Bankës së Kosovës: Për ne është mirë që Shqipëria të përdorë euron

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, në samitin rajonal të Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore që u mbajt në Beçiç të Malit të Zi, theksoi se sfida kryesore vijon të mbetet ruajtja e stabilitetit financiar.

Për guvernatorin Fehmi Mehmeti, sektori financiar në Kosovë, është shumë stabël dhe me përmirësim të vazhdueshëm të rolit të tij në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.

Norma e kredive joperformuese në sektorin bankar të Kosovës është vetëm 2.9% dhe norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është rreth 18%.

Mirëpo, Mehmeti deklaroi se janë të vetëdijshëm se tronditjet për sektorin bankar shpesh vijnë nga jashtë bankave, pra prej ekonomisë dhe në këtë aspekt, duhet të jemi të kujdesshëm që bankat të mund t’i përballojnë tronditjet e mundshme me të cilat mund të ballafaqohen në të ardhmen. Sfidë tjetër për Bankën Qendrore të Kosovës është edhe nevoja për rritjen e rolit të bankës qendrore në ndikimin e zhvillimeve makroekonomike në vend.

Në një intervistë që dha për Monitor gjatë konferencës, guvernatori Mehmeti tha se është mirë që Shqipëria të përdorë monedhën e përbashkët.

“Vendet e Ballkanit janë pjesë integrale Europës. Faktikisht për ne është mirë që Shqipëria të përdorë monedhën e përbashkët. Të gjitha shtetet synojnë që të integrohen në Bashkimin Europian, dhe që përpos të tjerave, ka dhe valutën e vet zyrtare. Shqipëria po bën progres në përmbushjen e kushteve për të çelur negociata për anëtarësim. Besoj edhe Kosova, me të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, do të bëhen pjesë e BE-së dhe njëkohësisht do të kemi një valutë të vetme”, tha ai për Monitor./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT