Haradinaj tregon pse u nervozua në takim me Mogherinin

(E plotësuar) – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka fajësuar serish shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini për dështimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se procesi aktual ka dalë nga binarët.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka bërë edhe një herë me dije se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

I pyetur se pse u nervozua gjatë takimit të djeshëm me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini në Bruksel, kryeministri Haradinaj tha se presioni i tij ka qenë i sinqertë ndaj saj.

“Kosova më nuk do të jetë në mëshirë të të tjerëve. Do të binden të gjithë që kjo puna e taksës jo vetëm që nuk ka me u heq, por do të konsolidohet dhe nuk do të ndryshojë deri në njohje të Kosovës. Është absurd me e heq”, tha Haradinaj.

Ndërkohë që nuk është ftuar në takimin që do të mbahet nesër në Bruksel, kryeministri Haradinaj tha se mirëpret një gjë të tillë.

“Nuk më ka mbetur më punë që të jem aty. Unë i kam kryer ato çfarë kam pasur të them. Moghereni e ka çrregulluar dialogun, ka nxjerrë shumë probleme në rajon”, është shprehur ai.

***

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka diskutuar për draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative ligjore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi ka paraqitur draft-marrëveshjen, duke thënë se ajo parasheh që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës, të ketë drejtësi për krimet e luftës, të njihen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Arifi tha se në tri takimet me palën serbe, këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm që të zbatojnë asnjë marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës ka implementuar çdo marrëveshje të Brukselit. Refuzimi i anës serbe ka bërë që të humbin 12 milionë euro të Brukselit. Qytetarët e Kosovës ndalen në baza ditore, në vendkalimet kufitare”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e vendit tonë nga ana e Serbisë.

“Qeveria në procesin e dialogut do ta mbështesë delegacionin shtetëror. Synimi është të arrihet një kontratë përfundimtare. Tarifa që është vendos ndaj mallrave të Serbisë nuk do të ndryshojë. Kosova ka nevojë për njohjen e Serbisë. Ata kanë nevojë për tregun tonë”, tha ai.

Duke folur rreth draft-marrëveshjes, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se si përfaqësues i komunitetit turk do të vazhdojnë të përkrahin interesat e shtetit të Kosovës.

“Për neve do të jetë shumë e rëndësishme se çka vendoset nga qeveria, dhe do ta përkrahim atë”, tha ai.

Kabineti qeveritar ka aprovuar draft-rregulloren për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Sa i përket propozim-vendimit për themelimin e komitetit ndër-ministror për integrim në NATO, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka kërkuar që të ndryshohet termi integrim në NATO dhe të zëvendësohet me fjalën anëtarësim./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT