Borshi me bregdet të mrekullueshëm dhe kala në mëshirë të fatit
Borshi nuk është vetëm një nga qendrat më joshëse të bregdetit jugor shqiptar, por edhe një hapësirë që qëndron mbi themelet e një historie fort të vjetër. Thuajse të gjithë janë tërhequr nga kalaja që ngrihet në pjesën më të sipërme, por padyshim pak e njohin lashtësinë e saj.
Ajo e ndan të shkuarën natyrshëm në disa periudha që nga ajo ilire tek ajo mesjetare dhe më tej. Në periudhën më të hershme kalaja e Borshit ka shërbyer si një pikë e rëndësishme e bregdetit Kaon, ç’ka dëshmohet nga zbulimet arkeologjike të lidhura më këtë hapësirë kohore. Por jo vetëm kaq, sepse një tjetër aks e lidhte këtë qendër edhe me Amantian e territoret e saj. Kjo tregon pozicionin strategjik që ka pasur Borshi në kryqëzimet e botës së lashtë ilire, ku lidhjet me Orikun e Aulonën janë gjithashtu parësore.
Mendohet se shekulli i IV para erës sonë përfaqëson një gjurmë të rëndësishme në këtë qendër edhe pse rrënjët padyshim i ka shumë më të hershme. Të gjitha të dhënat e zbuluara gjatë gërmimeve të pakta i kanë pozicionuar qartazi arkeologët në qëndrimin se ky ka qenë një qytet i vogël i lashtësisë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se jeta në Borshin e vjetër është ndalur vetëm në këtë periudhë sepse të dhënat flasin për vazhdimësi në mesjetë e natyrshëm edhe më tej.
Sot kalaja si shumë monumente të tjera është lënë në mëshirë të fatit. Historia e saj do kërkuar ndër botime të vjetra e dokumenta të sjella nga arkeologët sepse e sotmja është mbytur nga harresa dhe mungesa e projekteve për ta shfrytëzuar si një resurs turistik.
Ne akoma nuk e njohim plotësisht historinë e Borshit dhe me këto politika të ndjekura nuk dihet nëse do ta njohim ndonjëherë. /Blitz.al//ZgjohuShqiptar.info