I bashkon Bashkimi / Ditën shahen nga gratë, natën firmosin kulla

Në fillim të kësaj jave, DITA raportoi se megjithë hijen e rëndë publike që ka lënë pas skandali i “Unazës” dhe OST-së, kryeministri Edi Rama nuk nguroi të emëronte në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të viteve të fundit të z.Ulaj, menaxher i lartë i “Gener 2”, Dritan Agolli.
Prej disa kohësh kemi ngritur pyetje mbi natyrën e marrëdhënies mes zotit Ulaj dhe Kryeministrit, shtrirjen e saj në kohë dhe në interesa; çfarë përfaqëson ajo, çfarë mbahet fshehur dhe pse nga sytë e publikut
Përgjigja e kësaj pyetjeje ka rëndësi, sepse minimalisht ka të bëjë me hetimet e nisura mbi skandalin e “Unazës” dhe OST-së, për të përcaktuar qartë rolin e kryeministrit në këtë aferë. Por edhe për të kuptuar natyrën e marrëdhënies reale mes Ramës e Berishës, e prej kësaj arsyet pse pandëshkueshmëria vijon në këtë vend, ku jetojnë mirë vetëm familjet politike dhe oborri i tyre.
Deri tani, dihet se të gjitha shkallët e administratës poshtë Kryeministrit, kanë bashkëpunuar ngushtë gjatë procesit të falsifikimit dhe paracaktimit të fituesit të tenderit Unazë – OST.
Nëse e kanë bërë me kokën e tyre, apo me urdhër të kryeministrit, kjo do sqarohet shumë shpejt, aq më tepër që burimet amerikane të informacionit janë marrë gjerësisht me këtë temë dhe ngritja e SPAK, me mbështetje gjithashtu amerikane, është afër.
Nëse “Unaza” dhe OST do ishin thjeshtë një rastësi dhe kryeministri do ishte thjeshtë një sylesh, njësoj si ministri, drejtorët dhe vartësit e tyre, gjithsesi kryeministri do duhej të largohej për paaftësi të dukshme në mbrojtjen e interesave të shtetit.
Pikërisht ky largim do “ndodhte në çdo vend të botës”, jo fitime tenderash me letra false, siç thotë KM.
Gjithsesi, faktet e ndodhura përpara dhe pas skandalit të “Unazës” dhe OST-së, tregojnë se raporti i zotit Rama me përfaqësuesin e familjes Berisha, është shumë më tepër se syleshësi.
Koncesioni i jashtëzakonshëm për nga shifrat, Thumanë-Kashar dhe pjesëmarrja e kryeministrit si i ftuari i nderit në hapjen e kanalit televiziv në pronësi të Ulajt, japin një pjesë të përgjigjes.
Por më shumë se ngjarjet që i kanë paraprirë skandalit të “Unazës” dhe OST-së, përgjigjen me të qartë e japin ato që kanë ndodhur më pas.
Emërimi i një prej menaxherëve kryesorë të Ulajt në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion që qarkullon 140-160 milionë dollarë në vit, në projekte të infrastrukturës, dëshmon se anulimi i koncesionit të Thumanës dhe tenderi i “Unazës”, kanë qenë vetëm veprime të diktuara nga presioni publik dhe ai amerikan, por interesat po vijojnë të ushqehen dhe garantohen në rrugë të tjera, që prodhojnë miliona.
Emërimi nga qeveria në AKEP, i një tjetër personi që punon për Ulajn, në segmentin shqiptar të TAP, e ridëshmon këtë.
Akoma më fortë e ridëshmon kjo leje që po botojmë sot në DITA.
Një tjetër kullë për “Gener 2” të Bashkim Ulajt, në mes të qametit me kulla e ndërtime, ku planet bashkiake kanë planifikuar hapësirë të lirë për qytetarët.
Sikur mos mjaftonin kullat te liqeni, që morën mohimin bashkiak, por bekimin e heshtur qeverisës, sikur mos mjaftonte kulla që po ngrihet bashkë me stadiumin e ri “Arena”, (të cilit i majti Rama ia zhduku emrin e Qemal Stafës), një tjetër kullë vetëm pak metra larg murit të stadiumit, do ndërtohet nga Bashkim Ulaj.
Dhe firma poshtë lejes është sërish e Edi Ramës.
Leja është dhënë nga Këshilli i Territorit, me firmën e Kryemibistrit dhe ministrit Damian Gjiknuri, të njëjtat firma si në skandalin e “Unazës” dhe OST.
Përfituesi është sërish i njëjti: Bashkim Ulaj, ikona e lidhjeve kriminale biznes-politikë, të cilat “Rilindja” u betua se do t’i zhdukte gjatë fushatës elektorale, që parapriu ardhjen e tyre në pushtet, më 2013.
Firmosur nga Këshilli i Ministrave / Këshilli Kombëtar i Territorit, objekti me 21 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, do ndërtohet në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, nga “Gener 2”, me projekt të arkitektit të preferuar të kryeministrit, Stefano Boeri.
Në një sipërfaqe trualli rreth 1700 metra katrorë, kryeministri Rama ka firmosur për zotin Ulaj një sipërfaqe ndërtimit prej 18 mijë metra katrorë, (më saktësisht 18.671 m2).
Me një çmim shitjeje që nis nga 3 mijë euro metri katror, secili mund t’i bëjë vetë hesapet.
Ajo që bën përshtypje në gjithë këtë histori, është që gjithë këto firma, leje ndërtimi, licenca, tendera, ndodhi larg syve të publikut dhe sikur mos jenë mediat, nuk do dilnin kurrë në dritë. Kurse përpara syve të publikut, luhet çdo të enjte maskarada e një konflikti politik pa fund.
Retorika vijon e ashpër, shumë e ashpër, dje Rama e Berisha shkuan deri tek brekët e grave, të papërmbajtshëm në fyerjet ndaj njëri-tjetrit, sa edhe shqiptari më i qetë, nis e trazohet, nga gjuha e rëndë, vulgariteti, tërbimi që shihet në sytë e këtyre burrave të kombit.
Por kur puna vjen tek paraja, interesat dhe firmat që prodhojnë fitime miliona euro, gjërat qenkan shumë ndryshe. Dhe çdo shqiptar që ende nuk ka marrë arratinë, ka të drejtë të pyesë: Cilët janë Rama dhe Berisha i vërtetë? Ata që shahen nga gratë të enjten në Parlament? Apo ata që firmosin për njëri-tjetrin, emërime, licenca, leje ndërtimi, koncesione, e tendera të paracaktuar? 
Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një leje ndërtimi për një kullë 21 kate mbi tokë dhe katër nëntokë, me orientim shërbime dhe banim. Bëhet fjalë për një objekt në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet, me kompani ndërtuese “Gener 2”.
Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri.
Në faksimilet që DITA ka siguruar, bëhet fjalë për projekt të miratuar tashmë nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Projektues është arkitekti Stefano Boeri dhe kompania e ndërtimit është “Gener 2” e Bashkim Ulajt.
Lart janë fotot e projektit që do të ndërtojë Ulaj, i vendosur në qendër të akuzave, pas skandalit të “Unazës” dhe OST.
Sipas dokumentave ndertimi do shtrihet në rreth 1700 m2 dhe do prodhojë mbi 18 mijë m2 sipërfaqe banimi dhe tregtie.
Trualli ndodhet ngjitur me Ambasador 3 të Zamir Manes në një zonë të mbipopulluar me ndërtime të larta, pak metra larg hyrjes së stadiumit të ri (ish Qemal Stafa) dhe shumë afër Aba Center, kullë tjetër e njohur e Bashkim Ulajt.

Botuar në Dita/ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT