Mision djallëzor i Qendrës Sekrete ruse në Nish, Kosovës i duhet mbrojtja nga SHBA
Kosova nuk është e sigurt karshi kërcënimeve të mundshme serbe. Kjo për faktin se Qendra Sekrete e Rusisë në Nish është kërcënimi kryesor për sigurinë e Kosovës dhe Rusia po e sheh si të vetmen mundësi kërcënimin ndaj Kosovës.
Njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë në vend, vlerësojnë se qendra Ruse në Nish të Serbisë, është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për sigurinë e përgjithshme ndërkombëtare.
Sipas tyre, Qendra Sekrete e Rusisë në Nish tenton të mbajë nën vëzhgim sjelljen e Kosovës dhe njëkohësisht të ushtrojë njëlloj presioni mbi të.
Ata konsiderojnë se Rusia kërkon të rrisë influencat e saj në Ballkan dhe këto janë llogaritë e tyre që përputhen me të Serbisë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi ka thënë se, kjo qendër nuk është më sekrete pasi që ajo ka një lokacion, i cili mund të identifikohet lehtë edhe përmes internetit, ndërkohë që veprimtaria e kësaj qendre është sekrete.
Sipas tij, kjo qendër “legalisht” mbanë statutin e një “Qendre për reagime emergjente nga fatkeqësitë natyrore” dhe për njohësit e çështjeve të sigurisë, një qendër e tillë e një superfuqie botërore është e pakuptimtë, pasi Serbia dhe rajoni nuk janë vende të cilat goditen shpesh nga fatkeqësitë.
“Së dyti, edhe kështu e kamufluar, për momentin, ajo nuk është qendër ushtarake siç donin rusët ta bënin në Kubë në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Kështu që në aspektin ushtarak Kosova nuk ka ndonjë kërcënim për shkak të karakterit të saj dhe për shkak të pranisë së NATO-së. Kërcënimi i Kosovës nga kjo bazë i vije nga destinacioni i vërtetë për të cilin është themeluar kjo bazë. Ajo rol primarë ka zhvillimin e aktiviteteve të spiunimit në hapësirat ballkanike, ku Kosova padyshim është departament në vetë në organikën e kësaj baze. Aktivitetet e spiunimit në drejtim të Kosovës nga kjo bazë zhvillohen në nivel operativ-përmes agjenturës dhe, në nivel elektronik-përmes përgjimeve të rrjetit të telekomunikacionit në Kosovë”, ka thënë Kajtazi.
Ai konsideron se, këto aktivitete serbët dhe rusët në Kosovë i zhvillojnë me lehtësi, për shkak të strukturave të dobëta dhe të korruptuara politike dhe shtetërore të Kosovës.
“Qëllimet janë kryesisht mbështetje Serbisë për desabilizimin e Kosovës, apo moslënien e saj që të konsolidoj shtetësinë. Përmes agjenturës së konsoliduar, ata zhvillojnë aksione subversive në formë “duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza”, e cila në fund ka qëllim krijimin e kaosit. Këto aksione zhvillohen kryesisht sipas shablloneve të njohura të luftës speciale serbe të bazuar në katër shtylla: E para, Kamuflimin e veprimtarisë së fshehtë deri në masën që ajo të duket gjë e rëndomtë, duke e reduktuar në nivelin e një fatkeqësie elementare: E dyta, Sulmin masiv mbi popullatën ose grupet që e masivizojnë efektin; E treta, veprimtaria e fshehtë, të orientohet në fushat që kanë ndikim psikologjik te popullata, në mënyrë që me kalimin e kohës, ose të shkaktojnë gjendjen e depresionit dhe pa perspektives, ose të krijojë efekte që i konvenojnë agresorit, në këtë rast Serbisë: Dhe e katërta, ndikimi në krijimin e masave të mëdha njerëzish që përhapin idenë se pushteti i agresorit (në këtë rast i Serbisë) është më i mirë”, ka thënë Kajtazi./ZgjohuShqiptar.info