Pakti me Beogradin, Thaçi: Ja çfarë synojmë të marrim nga Serbia
Në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo‘ në Report Tv ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i shtetit të Kosovës foli për marrëveshjen e pritshme me Serbinë, idenë e shkëmbimit të territoreve, marrëdhëniet me liderët e Shqipërisë, por edhe shumë çështje të tjera në të dyja anët e kufirit.
Thaçi ngulmoi për një marrëveshje me Serbinë, por me çfarë çmimi? Ai mohon idenë e shkëmbimit të territoreve, që i cilëson pazare, ndërsa tregon se kush është objektivi i tij.
“Askush nuk ka folur për dhënie territori. Qëndrimi im është shumë i qartë. Unë synoj që edhe përtej kornizave kushtetuese të Kosovës, të realizoj aspiratën e të drejtës së qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanovcit për bashkangjitje me territorin e Kosovës. Është një e drejtë legjitime e tyre. E kanë treguar vullnetin e tyre përmes referendumit të vitit 1992. Kanë zhvilluar luftë që diçka e tillë të ndodhë. Kanë sakrifikuar, prandaj edhe unë i përkrah shumë fuqishëm, i përkrah si president i vendit, i përkrah në realizimin e të drejtës së tyre legjitime dhe historike”, u shpreh ThaçiPo në çfarë pike janë bisedimet Prishtinë-Beograd? Presidenti i Kosovës sqaron:“Mendoj që negociatat kanë shënuar progres. Ka vullnet të dyanshëm për të diskutuar për të gjitha çështjet e hapura, që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkuptohet çështja e të zhvendosurve, e refugjatëve, edukim, shëndetësi, trashëgimia kulturore serbe, zhvillimi ekonomik, artifaktet arkeologjike dhe shumë e shumë çështje të tjera, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u diskutuar. Gjithashtu edhe bashkëpunimi në segmentet e sigurisë, për t’u përmbyllur pastaj me preambulën që nënkupton ndryshimin e Rezolutës 1244 dhe pika e parë e marrëveshjes duhet të jetë që Kosova dhe Serbia të njohin njëra-tjetrën si vende sovrane dhe me integritete territoriale të përcaktuara me marrëveshje. Prandaj nuk di se kush e pengon arritjen e marrëveshjes përfundimtare që nënkupton njohja reciproke Kosovë-Serbi, si dy vende të pavarura, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Është një moment historik, të cilin ne guximshëm duhet ta shfrytëzojmë, të përballemi në mënyrë sa më unike dhe sa më të bashkuar që do të jemi, aq më të sigurt dhe më të suksesshëm, jam i bindur që do të dalim në fund”./ZgjohuShqiptar.info