Revanshi i ri i të pandëshkuarit
Tanimë gjithçka është si ka qenë: e qartë deri në detaje. Përpjekjet e opozitës për të përmbysur qeverinë “Rama” nuk kanë aq shumë lidhje me vjedhjen e votave, një trashëgimi e hershme shqiptare që Berisha i dha rijetësim në vitin 1996 më shumë se kurrë; as me aferat korruptive të qeverisë së tashme, të cilat, janë të ndjeshme; fare pak lidhje kanë me shitblerjen e sistemit të drejtësisë apo me çështjet e nxehta të prokurorisë që ende gjenden nën hirin e harresës.
Të gjitha këto përmbysen fare lehtësisht nga ajo që ka ndodhur në historinë e tri dekadave të fundit në Shqipëri, ku, në të tria është gjendur përherë i njëjti njeri në vijën e parë të plangprishjes, të hakmarrjes meskine, të rënies nga pushteti, të përgatitjeve dhe organizimit të grushteve të shtetit, eliminimit të kundërshtarëve politikë, edhe brenda vetes.
E keqja e tashme e vendit, sido që të jetë, me gjithë prapësitë e tij, vetëm një pjesë e ka emrin Edi Rama. Ai është pjesës e së keqes, sidomos nga qëndrimi i tij ndaj të Pandëshkuarëve, vijimi i majmjes së një klase tipike oligarke, por, përtej tij dhe përtej çdo njërit që ka një emër në jetën politike shqiptare, është Sali Berisha.
Në çdo të keqe që ka ndodhur në këtë vend është ai; në çdo rënie në greminë të vendit gjendet edhe mendja e tij, në çdo hapësirë të mbushur me të keqen -ai ka qenë i pranishëm ose e ka krijuar vetë, dhe në çdo dëmtim të qenies kombëtare ai ka pjesën e tij të madhe.Sido që të jenë protestat e tashme, edhe e ditës së martë, e pa paralajmëruar, por me fillesën e një agresiviteti që mund të përshkallëzohet, sidomos në fillimin e muajit mars – këto që bëhen tani janë si provat e përgjithshme të një tragjedie që e ndjellin pa pushim, ata në fakt janë shansi i fundit i Berishës për të qenë, në mos aktiv në politikë, i pandëshkuar nga drejtësia.Akti përmbysës i tij ka filluar që në qershorin e vitit 2013, një ditë pas humbjes plebishitare dhe ka kulmuar pas qershorit të vitit të kaluar, kur befas, si ai, si miqtë e tij politikë, të hapur apo enigmë, u gjendën në opozitë.Edhe në vitin e largët 1992 zgjedhjet nuk i kishte fituar një forcë e vetme politike. Ndodhi në vitin 2017 jo se Rama ishte i duhuri, por se njerëzit menduan se tani, po ishte koha e ndëshkimit të së keqes, gjë që nuk e bëri dhe, si duket, as nuk ka ndër mend ta bëjë.Rama, zakonisht mospërfillës në momentet e para të protestave, vjen e dobësohet sa më shumë që shkojnë ditët dhe, në vend të gjetjes së një rruge reale, të duhur dhe si precedent politik për të ardhmen, gjen rrugën drejt një marrëveshje, e cila më shumë se kompromis politik, është Pazar i radhës , i cili shpërblen të Pandëshkuarit dhe minon besimin tek ata që të kanë votuar.Berisha vetë shpreson se kjo veti politike dobësuese e Ramës do të funksionojë edhe më tej dhe se, lufta politike mes tij dhe Ramës nuk do të kthehet kurrë në një ndëshkim ligjor ku duhej të ishte prej shumë kohësh.Në fakt, ai është precedenti i pazakontë në politikën europiane që, edhe pse disa herë e ka shpënë vendin e tij në greminë, që ka skenuar dhe tentuar të realizojë përmes armës ndarjen e vendit në dy pjesë, veri- jug; që edhe pse ka shkelur një marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, si ajo e izolimit serb; që edhe pse ka qenë ashpërsisht kundër një lëvizje çlirimtare të një pjese të rëndësishme të kombit të tij; që edhe pse ka përgatitur e drejtuar dy herë grusht shteti, shtator 1998, pikërisht kur lufta në Kosovë ishte në momentin më të vështirë të saj dhe, pas vrasjeve të 21 janarit, grusht shteti kushtetues kundër një institucioni të pavarur – Prokurorisë së Përgjithshme; që edhe pse ka furnizuar një makineri vrastare, si ajo e Millosheviçit, vazhdon të jetë aktiv në politikë dhe për më tepër, nuk ka ndërruar që nga dita e parë kur e futën në politikë.Mendoni se si mund të ishte Shqipëria nëse në atë natë dhjetori të vitit 1990 të mos e kishte thirrur Xhelil Gjoni, duke besuar se është dorë e fortë militante, sikur të mos e kishte thirrur në shtëpi, afër mesnate, Ramiz Alia për ta deleguar tek studentët; mendoni se si mund të kishin rrjedhur gjërat nëse ai, Berisha do të kishte dëgjuar këshillën e Mustafajt, kur sapo doli nga banesa e Alisë dhe i tha: “ shkojmë në shtëpi, tani çdo gjë mbaroi” dhe ai të shpallte kredon e tij: “ jo, tani çdo gjë filloi”. Çfarë kishte filluar dhe përse Alia thirri pikërisht atë, çfarë u bisedua në atë mesnatë të fillimit të ri, këtë askush nuk e di dhe nuk do të zbardhet kurrë.Në takimin e vetëm që kam pasur me Ramiz Alinë kur ai ishte i mbyllur në shtëpi dhe e pyeta për këtë takim mesnate, ai nuk u përgjigj. Dhe kur Frederik Reshpja, që erdhi ta takonte, i tha se ky do të jetë pengu i tij i fajit, ai përsëri heshti.Berisha, pra, nuk ka frikë nga Rama. Ai ka frikën e atyre që vijnë pas tij. Dhe ata që vijnë pas Ramës, duke ndërtuar godinën juridike të Reformës në Drejtësi, megjithëse nuk do të jenë në radhën e parë, në fakt janë ata që vendosin. Dhe me to, marrëdhëniet e Berishës janë prishur që prej shumë kohësh dhe e vetmja mbijetesë e tij është pikërisht kjo që po ndodh sot: loja e vjetër e destabilitetit në shkëmbim të sigurisë së tij.Dosja e Berishës është e para që është e kopsitur, e bollshme dhe e trajtuar deri në imtësi. Gjurmët që ka lënë pas vetes në këtë rrugëtim 30 vjeçar janë krejt të dukshme, pasi ashtu si dikur anëtarët e byrosë politike, e ka trajtuar veten si të paprekshëm. Kur e mësoi se është i prekshëm dhe se kjo mund të mos ketë një datë të largët, ai nxiti, organizoi, urdhëroi pikërisht këtë që po ndodh sot: protesta deri sa të bjerë qeveria Rama, ose deri sa mes tij dhe institucioneve të larta të Drejtësisë të bëhet një pakt, që kësaj here do i ngjante paktit të diellit.Nëse ky pakt vonon dhe ai nuk merr siguracionet e duhura, jo thjeshtë për vete, por edhe për njerëzit rreth tij, protestat do të shkallëzohen, do të egërsohen dhe do të kenë pasoja jo të pakta.Informacione serioze të institucioneve europiane të Sigurisë janë në dijeni se pritet që në fillimin e muajit mars dhuna të mos jetë një prces i pazakontë, por e vazhdueshme dhe e egërsuar.Loja që Berisha ka filluar edhe një herë, e prekshme nga naiviteti politik i Rilindjes dhe i kamufluar me mungesën e drejtësisë, do të ketë pasojat e saj, që nuk lidhen thjeshtë me pranimin apo jo të hapjes së negociatave me BE, por me një vazhdimësi të skajshme kombëtare.Loja e tij ka qenë e hapur përherë: ju jap qetësinë, më siguroni pushtetin.Tani, duke e ditur se pushteti nuk do të jetë kurrë tek ai në vetën e parë njëjës, ai simulon me mëkatet e qeverisë së tashme, nxit një grup mitingashësh që i ka pasur kurdoherë pranë vetes, etjen pushtetore të atyre që kanë rënë nga fiku i pushtetit dhe makthin e atyre që janë me mëkate të njohura.Dhe nëse e bën këtë përmes të njëjtave figurave që ka pasur përherë pranë vetes, pavarësisht se shumë prej tyre janë të dalura boje, kjo do të thotë se, ndërsa të tjerët kanë kopsitur dosjet e tij, ai, ndërkohë, ka kopsitur dosjet e atyre që ka hedhur edhe një herë në fushë betejë.Ky është shansi i fundit i tij që të largohet nga politika përmes një pleqërie të patrazuar dhe që pasuesit e tij biologjikë të gëzojnë pasurinë që kanë vënë nën pushtetin e tij.A do të ndodhë kështu?Nëse Rilindja vazhdon të heshtë ndaj krimit, krimi do të kthehet kundër tyre!/Dita/ZgjohuShqiptar.info