Senatorët amerikanë e sigurojnë Haradinajn se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 55-të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munich të Gjermanisë, ka zhvilluar takim bilateral me senatoren amerikane, Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Komitetit për Forcat e Armatosura në Senatin Amerikan dhe Ron Johnson, Kryetar i Komitetit për Siguri Kombëtare dhe Nënkomitetit për Evropën dhe Bashkëpunimit Rajonal për Siguri.

Senatorët amerikanë, Shaheen dhe Johnson, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se “SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe të brendshëm të vendit”.

Në këtë takim, Haradinaj i ka njoftuar senatorët Shaheen dhe Johnson për të arriturat e Kosovës, prioritetet e Qeverisë, për, siç thuhet në komunikatën e Qeverisë, tranzicionin e suksesshëm dhe transparent të FSK-së në ushtri, zhvillimin ekonomik të vendit, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, rolin dhe kontributin e Kosovës në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe tema të rëndësishme për vendin.

Ndër të tjerash, në fokus të këtij takimi ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Kryeministri ka theksuar përkushtimin e Kosovës, Qeverisë së tij, për një dialog përmbajtjesor, drejt arritjes së një marrëveshje finale ligjërisht obligative me Serbinë e cila do t’i hapte rrugë Kosovës për integrimet euroatlantike.

Kreu i ekzekutivit kosovar “i informoi senatorët për ekipin negociator, i cili me mandat dhe legjitimitet do ta përfaqësojë Kosovën në bazë të platformës shtetërore të dialogut”. Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka theksuar se “Kosova ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, duke dhënë kontribut dhe angazhim konkret”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol kyç në lirinë, pavarësinë dhe tani në shtetndërtimin e Kosovës, dhe për këtë u jemi mirënjohës. Jemi të përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”, citohet të ketë thënë kryeministri, duke kërkuar përkrahjen e SHBA-së në konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT