Trump i nis letër Vuçiçit: Njih Kosovën!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një hap thelbësor për të ardhmen e tyre.Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se “marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse“.Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, “u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës“.Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësorë i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike“, thuhet në letër.Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një “marrëveshje historike“./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT