Turistët çekë zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e 2019-ës
Në Pragë në datat 21-24 shkurt po zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Turizmit “Holiday World”, që konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e turizmit në rajonin e Europës Qendrore. Vendi partner i këtij viti ishte përzgjedhur Indonesia. Në panair ishin të pranishëm më shumë se 100 ekspozues nga 40 vende të botës dhe është e bazuar në tre shtylla, në ekspozimin e subjekteve të huaja, paraqitjen e potencialeve të Çekisë dhe Sllovakisë, si dhe në stendat e agjencive turistike.
Ambasadori Ilirian Kuka mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Panairit, ku pati rastin të takohet me Ministren e Zhvillimit Rajonal, Klára Dostálová dhe Drejtoren e Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Renata Králová. Gjithashtu, Ambasadori Kuka u takua me drejtuesit e agjencive të udhëtimit që organizojnë udhëtime turistike në Shqipëri, si Fibula Air Travel, Delfin Travel, Kovotours Plus etc., për të cilët Ambasada ofron mbështetjen e vazhdueshme për promovimin e Shqipërisë.
Sipas këtyre operatorëve, shifrat e turistëve çekë që do të vizitojnë Shqipërinë, për vitin 2019, janë shumë premtuese. Agjencitë turistike janë shumë optimiste për rritjen e numrit të udhëtarëve dhe që tani kanë shitur dhe rezervuar shumicën e paketave te udhëtimit për në Shqipëri./ZgjohuShqiptar.info