Vendim “nga shiu në breshër”? Ç’po ndodh me Velierën në Durrës
Gjykata Administrative e Apelit vendosi të enjten në dhomën e këshillimi t’i hapi rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke pushuar gjykimin e çështjes dhe prishur vendimin e Gjykatës Administrative Durrës.
Dispozitivi i vendimit të Apelit lë të kuptohet se ndryshe nga gjykata e Shkallës së Parë është lejuar edhe ndërtimi në zonën arkeologjike “A”, gjë që u kontestua fort prej aktivistëve të shoqërisë civile.
Vendimi u mor nga një trup gjykues me relator Kastriot Selitën, anëtar Bernina Kondi dhe Enkeljeda Metaliaj (Softa) – raporton gazetari Geri Emiri, editor i blogut “Amfora.al”, profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri.Apeli vendosi “Prishjen e vendimit nr. 71, datë 13.02.2018 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës dhe pushimin e gjykimit të çështjes.Vendimi 71 i Gjykatës Administrative në Durrës pati lënë të pakënaqur të dyja palët në proces.Gjykata vendosi atëherë të bllokonte punimet në zonën arkeologjike “A” duke pranuar pjesërisht padinë, por shpalli moskopetencë për disa pika të tjera të padisë dhe po ashtu lejoi bashkinë që të vijonte punën në pjesën tjetër të projektit.“Detyrohen të paditurit që, në kuadër të zbatimit të projektit të rivitalizimit të sheshit publik para hyrjes së portit, Durrës, të ndalojnë kryerjen e punimeve ndërtimore në zonën arkeologjike “A” të qytetit të Durrësit, me përjashtim të punimeve që lejohen sipas nenit 2 të Vendimit nr. 237, datë 23.3.2011, të Këshillit të Ministrave”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë.Vendimi i të enjtes u mor në dhomë këshillimi.Shoqata “Menvgroup” si përfaqësuese e shoqërisë civile ka ngritur padi ndaj Bashkisë Durrës dhe kompanisë ndërtuese “Everest” sh.p.k, më 23 mars të vitit 2017, duke kërkuar ndalimin e zbatimit të projektit, si ndërtim të paligjshëm, sepse ka falsifikuar kufirin e Zonës Arkeologjike A (ku nuk lejohen ndërtimet) që të ndërtonin “Velierën”.Shoqata kërkoi anulimin e projektit dhe të kontratës së lidhur nga Bashkia e drejtuar nga Vangjush Dako me kompaninë private.Prokuroria e Durrësit dhe më pas ajo e Apelit dhe gjykatat përkatëse vendosën pushimin e hetimeve për Dakon.Gjatë zbatimit të projektit ‘Veliera” në mars 2017 me vlerë 6 milion dollarë dolën në dritë objekte arkeologjike që datojnë që nga periudha qytetare ilire dhe gjurmët e një bastioni osman, ku më vonë u ngrit konaku i Princ Vidit.Qytetarët dhe shoqëria civile protestuan për muaj me radhë kundër dëmtimit të objekteve arkeologjike.Në mars 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv” duke mos lejuar vazhdimin e punimeve.Një nga strukturat e zbuluara nga sondazhet arkeologjike pas nisjes së zbatimit të projektit “Veliera” u betonizua.Sipas Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, struktura ishte një “pilastër romak” (që shërbente për mbajtjen, përforcimin e murit).Gjithashtu një pjesë e mureve të zbuluara të bastionit osman u shpuan me sondë.Megjithatë tre ekspertët që thirri Gjykata Administrative Durrës vlerësuan se dëmet nga projekti Veliera ishin sipas tyre “të rikuperueshme” dhe se ndryshimet në projekt krijojnë mundësinë e ruajtjes dhe ekspozimit të gjetjeve arkeologjike, duke i dhënë të drejtë Bashkisë së Durrësit të vijojë me ndërtimin.Tashmë ka edhe një projekt të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, që “muret e zbuluara të integrohen me projektin e ri”.Pas një sërë seancash në shkurt 2018 një vit pas fillimit të punimeve Gjykata Administrative Durrës vendosi ndalimin e punimeve. Në vendim u cilësua me “rëndësi të madhe” të shpallet “pacënueshmëria e objekteve arkeologjike”.Gjykata nga ana tjetër shpalli moskopetencë për disa pika të padisë, përfshi akuzat për “falsifikim dokumentesh”.Ky vendim nuk kënaqi asnjë nga palët. Bashkia e Durrësit që pretendoi se tashmë kishte marrë masat për të ruajtur objektet arkeologjike përmes një projekti të ndryshuar njoftoi Apelimin e tij.Apelim njoftoi atëhërë edhe organizata e shoqërisë civile që bëri padinë.Prishja e këtij vendimi nga Gjykata Administrative e Apelit këtë të enjte i lejon bashkisë dhe ndërtuesit të ndërhyjë pa kufizim në zonë, përfshi edhe zonën arkeologjike “A” e cila ishte cilësuar si e “pacënueshme” në vendimin e Shkallës së Parë./ZgjohuShqiptar.info