Aeroporti i Vlorës, një dështim që i kushtoi shtetit 20 mln lekë
Dështimi i negociatave me 3 kompanitë turke, që shprehën interes për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë i kushtuan shtetit shqiptar rreth 20 mln lekë.
Zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar se tashmë nuk do të ketë një marrëveshje me konsorciumin e kompanive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”.
Ndërkohë që sipas një vendimi qeverie të miratuar në datën 21 mars të vitit të kaluar përcaktohet se për këshillimin ligjor, financiar dhe teknik gjatë negociatave do të kontraktohej një kompani, ndërsa fondi limit i vënë në dispozicion ishte pikërisht 20 mln lekë pa TVSH, shkruan scan tv.
Ky vendim autorizonte ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, që në atë kohë ishte Damian Gjiknuri, për ngritjen e një komisioni të përbërë nga 3 vetë, për të kryer procedurën e përzgjedhjes së kompanisë së konsulencës.
Nga ana tjetër, në VKM përcaktohej qartë që në rast se negociatat me shoqëritë turke do rezultonin të suksesshme, duke u finalizuar me nënshkrimin e një kontrate atëherë shpenzimet e konsulencës do të paguheshin prej tyre.
Por, në rast të kundërt këto shpenzime do të duhet të përballohen nga buxheti i shtetit.