Presidenti i EESC-së apel klasës politike: Ndërtoni perspektivë të re
Teksa në qershor Shqipëria pret të mësojë nëse do të ulet ose jo në tavolinën e negociatave me Bashkimin Europian, Presidenti i Komitetit Ekonomik e Social Evropian, Luca Jahier i bën thirrje për vetëpërmbajtje klasës politike shqiptare. Në analizën që i bën krizës shqiptare, ai thekon se përballjet politike nuk duhet të shndërrohen të dhunshme dhe institucionet duhen respektuar.
“Roli i politikës nuk është të dëmtojë institucionet por të ndërtojë një perspektivë e re. Shqipëria po kalon një periudhe të fortë të konfliktit politik. Përsa kohë përballjet do të mbeten në rrafshin e ideve të ndryshme apo prioriteteve të ndryshme, është absolutisht normale për demokracinë. Por me dy përcaktime të qarta: jo dhunë në përballjet politike, respekt të plotë dhe aspak minim apo delegjitimimin e institucioneve të përbashkëta, sepse institucionet e përbashkëta janë të vendit, nuk i përkasin partive, asaj në pushtet apo asaj që kërkon të marrë pushtetin”.
Luca Jahier pranon se ka presione apo ndikime nga vende të treta kur flitet për procesin e zgjerimit europian. Qeverisë shqiptare ai i rekomandon t’i qëndrojë objektivit të saj, integrimin në BE.
Presidenti i Komitetit Ekonomik e Social Evropian flet për progres të Shqipërisë, veçanërisht sa i takon reformës në drejtësi. Ai mendon se me reformat e ndërmarra në qershor vendimi për çeljen e negociatave duhet të jetë pozitiv.
Luca Jahier ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Forumin e VII-të të Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor.