Reka-Zaevit: Ku shkruan që Presidenti nuk mund të jetë shqiptar?

Kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut Blerim Reka ka folur rreth kundërshtimeve ndaj përfshirjes së tij në garën për udhëheqës të shtetit.

Reka ka thënë në televizionin T7 se është e pakuptimtë deklarata e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev se shqiptarët s’mund t’i mbajnë të gjitha postet udhëheqëse në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Rekës askund nuk është e shkruar se një gjë e tillë s’mund të ndodhë.

“Të tri postet udhëheqëse Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i ketë dhe mund t’i ketë shqiptare” është shprehur ai.

“Ne duhet të çlirohemi si shqiptarë nga kompleksi i inferioritetit të tepruar ndaj maqedonasve” ka deklaruar Reka.

Ai është shprehur i bindur se do të jetë presidenti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Reka ka thënë se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kundërshtojnë më shumë sesa ato maqedonase.

Megjithatë ai ka theksuar se anketa më e fundit ka parashikuar se 81 për qind e votuesve shqiptarë do të votojnë për të.

Madje Reka ka thënë se pret të marrë shumë vota edhe nga maqedonasit të cilët sipas tij e konsiderojnë atë njeri të ndershëm./GazetaExpress/

Back to top button
LAJMET E FUNDIT